Kuvendi i Republikës së Kosovës

Vazhdimi i mbledhjes plenare

26.01.2022
Në vazhdimin e sotëm të mbledhjes së Kuvendit (me pika të papërfunduara nga tri seanca të ndryshme plenare) të kryesuar nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, fillimisht u njoftuan deputetët se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nuk do të jetë i pranishëm në mbledhje për shkak se ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
 
Ndërkaq, në mungesë kuorumi për vendimmarrje Kuvendi nuk e miratoi rezolutën lidhur me shtrenjëtimin e energjisë elektrike (debati për të cilën çështje kishte përfunduar në mbledhjen e kaluar, më 24 janar). Për këtë, përfaqësues të partive opozitare (PDK, LDK dhe AAK) lëshuan këtë mbledhje plenare duke shprehur qëndrimet e tyre dhe pakënaqësitë rreth mospjesëmarrjes në votim të deputetëve nga radhët e pozitës.
 
Në vijim, Kuvendi shqyrtoi një sërë projektligjesh në shqyrtim të parë. Fillimisht, u shqyrtuaProjektligji për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, të cilin e prezantoi ministri Hekuran Murati, ndërkaq u shqyrtua edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturina, të cilin e prezantoi ministri Liburn Aliu.
 
Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e këtyre projektligjeve: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për peshkatari dhe akuakulturë, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për farërat, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bujqësi organike, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e bimëve, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për verërat, Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Gjuetinë, Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për materialin fidanor, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pasurimin e miellit, Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për rregullimin e tokës, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bletari, Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për plehrat artificiale, Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për përkujdesjen ndaj kafshëve, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veterinarinë,  Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për inspeksionin bujqësor, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit i produkteve për mbrojtjen e bimëve, Projektligjit për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ujitjen e tokave bujqësore, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kooperativat e bujqëve, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. 
 
Të gjitha këto projektligje u prezantuan ngaministri Faton Peci. Tutje,Projektligjin për tokën ndërtimore e prezantoi ministrja Albulena Haxhiu.
 
Kuvendi ndërpreu mbledhjen plenare, ndërkaq votimi për pikat tjera do të bëhet në një nga seancat e radhës.