Kuvendi i Republikës së Kosovës

Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës

27.01.2022

Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën sot në seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Punimet e seancës i hapi nënkryetari Kujtim Shala, i cili njoftoi se kjo seancë është thirrur sipas kërkesës së 41 deputetëve, nga grupet parlamentare në opozitë: PDK, LDK dhe AAK.

Para se të fillohet me diskutimin parlamentar, me kërkesë të kryetares së GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, Kuvendi mbajti një minutë heshtje, në nderim të 6 milionë viktimave të Kampit të Aushvicit. 

Seanca vazhdoi punimet me debatin parlamentar. Në emër të iniciuesit të kësaj seance, deputeti Armend Zemaj ishte i pari që iu drejtua deputetëve.

Deputeti Zemaj tha se ky debat parlamentar është thirrur me arsye, ngase, sipas tij, vendi ynë është duke kaluar nëpër një situatë e cila kërkon adresim të menjëhershëm, duke pasur parasysh rastet me Covid 19, që çdo ditë janë në rritje e sipër. Për më tepër, sipas tij, sjellja e qeverisë po kontribuon që profesionistët shëndetësore të ikin jashtë vendit si kurrë më parë.  

“Arroganca, mos veprimi, propaganda, jo dëgjueshmëria profesionale, janë tipare të një qeverisje të paaftë dhe populiste, ndaj edhe kjo qeveri nuk bën përjashtim me sjelljen e saj jokorrekte. Prandaj, ne sot, kësaj qeverie po i bëjmë thirrje dhe po i themi thjeshtë, guxo, provo për të dëgjuar, provo për të mësuar dhe në fund për të punuar”, theksoi Zemaj.

Seanca vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të grupeve parlamentare. Kështu, në emër të GP të Vetëvendosjes, deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, potencoi se masat janë marrë gjithmonë konform situatave epidemiologjike, ashtu siç i ka paraparë edhe vet OBSH. 
 
Ajo foli po ashtu edhe për masat në kufi, për të cilat tha se kanë qenë shumë të qarta.
“Vaksina e tretë ka qenë vetëm si kriter lehtësues. Është thënë se nëse i disponon tri doza të vaksinës, kalon, në rast se ke vetëm dy doza të administruara të vaksinës, meqenëse është përkeqësuar situata, të bëhet edhe një test PCR”, tha ndër të tjera deputetja Kollçaku. 

Sipas propozimeve të saj, institucionet shëndetësore nuk duhet të shndërrohen në super shpërndarës. 

“Të vendoset antigjen testi rapid, ku secili qytetar që i drejtohet këtyre institucioneve të testohet fillimisht, dhe varësisht rezultatit, të trajtohen, deri në marrjen e rezultatit të testit PCR, që është konfirmim më i saktë”, theksoi ajo. 

Nga ana e GP të PDK-së, deputeti Memli Krasniqi tha se rritja rapide e variantit Omicron e gjeti qeverinë në befasi, përkundër asaj që, sipas tij, pothuajse e gjithë bota përgatitej për tu ballafaquar me të, duke u thirrur në atë se ky variant ishte më i shpejtë dhe më agresiv, sesa ato që kemi kaluar.

“Për një muaj, patëm një rritje enorme eksponenciale të rasteve pozitive, në shkallë prej mbi 36 mijë për qind. Prapë, edhe ky variant qeverinë tonë e gjeti në befasi, përkundër që pothuajse e gjithë bota përgatitej për tu ballafaquar me të”, theksoi deputeti Krasniqi. 

Ndërkaq, sa i përket menaxhimit të pandemisë, ai tha se menaxhimi i dobët i pandemisë nga kjo qeveri i ka lënë qytetarët vetëm dhe pa mbështetje. 

Në anën tjetër, nga GP i LDK-së, deputetja Rrezarta Krasniqi tha se situata aktuale shpërfaqë edhe një herë keqmenaxhimin e skajshëm të qeverisë, në raport me situatën pandemike. 

Deputeti Shemsedin Dreshaj, duke folur në emër të GP të AAK-së, u shpreh masat të cilat janë ndërmarrë së fundmi nuk do të japin efekt, nëse, sipas tij, fillimisht nuk respektohen masat bazike standarde për parandalimin e përhapjes së këtij virusi. 

“Sëmundja parandalohet me respektimin e masave standarde parandaluese, me respektimin e distancës, mbajtjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve. Nëse këto nuk respektohen nga popullata, atëherë të kota janë masat shtrënguese e kufizuese, si ora policore ose kufizimi i orarit të gastronomisë. Shteti, përmes aparateve të veta, duhet të veprojë me masa sanksionuese për mos respektimin e masave standarde të parandalimit të infeksionit, e jo duke i ashpërsuar me masa shtesë”, tha Dreshaj.
Nga ana e qeverisë, deputetëve ju drejtua ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Rifat Latifi. Ministri Latifi dha një pasqyrë të gjendjes aktuale me pandeminë në vendin tonë. Për më tepër, ai tha se Kosova nuk është vendi i vetëm që po ballafaqohet me një numër të madh të infektimeve.

Tutje, referuar masave, ministri tha se të gjitha masat që janë marrë deri me tani kanë ardhur pas diskutimeve të gjata me të gjithë hisedarët dhe janë rezultat i balancimit të disa faktorëve. 

“Të gjitha vendimet që merren, ashtu siç u diskutua edhe më parë, për çfarëdo masë mbrojtëse dhe parandaluese, janë rezultat i diskutimeve të gjata dhe të shpeshta me profesionistë shëndetësorë dhe në baza shkencore nga IKSHPK, komiteti për vlerësim dhe parandalim të pandemisë, si dhe grupin këshilldhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, me të cilët përfaqësohen të gjithë hisedarët e mundshëm të dikastereve të ndryshme të shtetit tonë”, theksoi ministri Latifi. 

Ai tha se varësisht vlerësimit të situatës do të merren edhe masat. 

“Në Kosovë ne kemi zgjedhur një rrugë më të moderuar. Kemi vendosur kufizime në sektorë të caktuar të cilat janë me rrezik të lartë dhe po presim të shohim se si po zhvillohet situata në spitalet tona. Natyrisht se vlerësimi do të bëhet në baza ditore dhe se masat do të merren konform këtyre zhvillimeve”, theksoi ministri Latifi.

Deputetëve iu drejtua edhe i pari i qeverisë, Albin Kurti, i cili tha se në Kosovë, ashtu si edhe në vendet e tjera të botës, rritja e numrit të të infektuarve me Omicron ka shënuar rritje eskponenciale dhe se kjo rritje rezulton si pasojë se ky variant përhapet shumë më lehtë dhe shumë më shpejt sesa ato të mëparshmet. Mirëpo, sipas tij, përballë këtij varianti, krahasuar me vendet e tjera, Kosova ka pasur avantazh të dukshëm. 

“Për shkak të përgatitjeve dhe reagimit me kohë, nga ana e institucioneve tona, si dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm me qytetarët gjatë muajve para ardhjes se variantit Omicron, vala e këtij variant filloj në Kosovë në një kohë kur kishim më pak se 10 raste të reja në ditë dhe më pak se 5 pacientë të shtrirë në spital me Covid aktiv” tha ndër të tjera kreu i qeverisë Kurti.  

Tutje, për të diskutuar rreth vështirësive që ka paraqitë situata epidemiologjike edhe në procesin e zhvillimit arsimor, deputetëve iu drejtua ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. 

Ministria Nagavci tha se situata epidemiologjike ka paraqitur vështirësi dhe sfida të shumta edhe në procesin e zhvillimit të mësimit dhe studimeve në arsimin e lartë. Për më tepër, ajo theksoi se MASHT ka ndërmarrë veprime konkrete që procesi i mësimit të zhvillohet në të gjitha nivelet e arsimit, sipas kushteve dhe respektimit të masave të dhëna nga IKSHKP. 

Seanca vijoi me diskutime të deputetëve, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me temën e debatit.

Pas shterjes së debatit nga ana e deputetëve dhe kabinetit qeveritar, iniciuesi i debatit, deputeti Zemaj, në emër të tre grupeve parlamentare, paraqiti një rezolutë me rekomandime dhe ftoi deputetët ta votojnë atë.

Me 21 vota për dhe 41 vota kundër, Kuvendi nuk i miratoi rekomandimet e iniciuesit të seancës së jashtëzakonshme.

Duke përmbyllur punimet e kësaj seance, kryesuesi i saj, nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, bëri të ditur se seanca tjetër, e paraparë për sot, do të mbahet gjatë javës së ardhshme, dhe për këtë deputetët dhe publiku do të njoftohen me kohë.