Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vizita e delegacionit të Komisionit për Legjislacion… në Shqipëri

13.01.2022

Delegacioni i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i udhëhequr nga Adnan Rrustemi, kryetar, Driton Selmanaj, Dimal Basha, Hajdar Beqa, dhe Besnik Tahiri, po qëndron për vizitë pune në Tiranë.


Fillimisht, delegacioni i Komisionit për Legjislacion… i Kuvendit të Kosovës, është pritur në takim nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila tha se bashkëpunimi i shkëlqyer dhe vëllazëror mes Shqipërisë dhe Kosovës ka hyrë në një stad të ri. 

Ajo, shtoi se ky bashkëpunim konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. 

“Shqipëria po konkretizon partneritetin strategjik gjithëpërfshirës me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal. Edhe bashkëpunimi  mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës ka hyrë në një stad të ri”, tha Nikolla.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Legjislacion…, Adnan Rrustemi, falenderoi kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, për mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën, në veçanti për bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy Kuvendeve. 

“Ky bashkëpunim, i cili ndihmon Kuvendin e Kosovës në konsolidimin e përvojës parlamentare, kontribuon në zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës si edhe rritjen pranisë së saj në organizatat dhe marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Rrustemi.

Poashtu, delegacioni i Komisionit për Legjislacion…, është takuar me delegacionin homolog, Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit, të kryesuar nga Klotilda Bushka.

Temë kryesore e takimit, ishte forcimi i bashkëpunimit parlamentar, njohja me sfidat e përbashkëta të dy vendeve në rrugën e integrimit evropian, shkëmbimi i eksperiencave dhe konkretizimi i bashkëpunimit në mes dy komisioneve.

Me këtë rast, Bushka u shpreh e gatshme për fuqizimin e bashkëpunit mes dy komisioneve parlamentare.

Kurse, kryetari i Komisionit për Legjislacionin… i Kuvendit të Kosovës, Adnan Rrustemi, tha se bashkëpunimi mes dy komisioneve do të ndihmojë në konsolidimin e përvojës parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Ai e vlerësoi të rëndësishëm diskutimin e çështjeve të interesit të përbashkët, dhe në mënyrë të veçantë marrjen e modeleve pozitive nga Kuvendi i Shqipërisë për hartimin dhe implementimin e Reformës në Drejtësi, Reformës Zgjedhore dhe Reformës Territoriale.

Gjatë takimit, poashtu u vlerësua rëndësia e hartimit të një agjende të përbashkët pune mes dy komisioneve parlamentare, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy Kuvendeve, si dhe krijimit të një sekretariati të përbashkët, i cili do të ndihmojë në bashkëpunimin e mëtejmë mes dy komisioneve parlamentare.

Delegacioni i Komisionit për Legjislacion…, gjatë ditës është pritur në takime të ndara edhe nga përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste(PS), të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike(PD), si dhe nga Avokatja e Popullit.

Delegacioni i Komisionit për Legjislacion… i Kuvendit të Kosovës, në këto takime është shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, Skënder Durmishi.