Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare të 21 dhe 28 korrikut

04.08.2022
Kuvendi i Kosovës, nën kryesimin e kryetarit Glauk Konjufca, vazhdoi seancën plenare të 21 korrikut, duke hedhur në votim dhe miratuar me shumicë votash Propozim-rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve. 
 
Pasi që diskutimet ishin ezauruar gjatë seancave të kaluara, Kuvendi miratoi edhe dy raportet si në vijim: Raportin vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021, si dhe Raportin vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021.
 
Ndërsa, me 61 vota për, u miratua edhe Propozim-Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 12/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës si dhe Propozim-Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”.
 
Në po të njëjtën seancë, me 73 vota për Kuvendi i Kosovës ratifikoi emërimin e Dr. Maja Martinović si anëtare ndërkombëtare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, me mandat 5 vjeçar.
 
Ndërsa, nga vazhdimi i seancës së 28 korrikut, deputetët e Kuvendit me shumicë votash miratuan Projektligjin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore me 6 amendamentet e tij.
 
Seanca përmbylli punimet duke miratuar edhe Raportin Vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2021.