Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

01.07.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari Glauk Konjufca, vazhdoi sot seancën me pikat e mbetura.

Fillimisht u mbajt vazhdimi i seancës së 13 qershorit në të cilën u zgjodh një anëtar jo ekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe u formua Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë.

Në garë për anëtar jo ekzekutiv të BQK-s, kandidatët Esida Bujupi, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu dhe Nora Raci iu nënshtruan votimit të fshehtë nga deputetët e Kuvendit.

Në votim morën pjesë 85 deputetë, nga të cilat Nexhat Kryeziu mori 72 vota, Esida Bujupi asnjë votë, Lulzim Ismajli 5 vota, Nora Raci 1 votë, ndërsa 7 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Pas votimit u konstatua se Nexhat Kryeziu zgjidhet anëtar jo ekzekutiv i Bordit të BQK-së.

Me 71 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi formoi Komisionin Ad-hoc për reformën zgjedhore në Kosovë.

Dy pikat e parapara që të shqyrtohen në këtë vazhdim të seancës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit per vitin 2021 dhe shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, u shtynë për një seancë tjetër.

Kuvendi vijoi punimet me pikat e mbetura të seancës së 30 qershorit, në të cilën u shqyrtua në lexim të dytë Projektligji nr. 08/L-017 për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit. Ky projektligj u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Seanca vijoi me shqyrtimin e dytë të  Projektligjit nr.08/L-108 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Raportin me amandamente të Projektligjit e prezantoi kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se Projektligjin si të tillë nuk e mbështesin, pasi që i përfshinë edhe mjekët dhe profesorët në deklarimin e pasurisë.

Ndërsa deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami kërkoi që në deklarimin e pasurisë të deklarohen edhe kursimet e Fondit Pensional të Kosovës.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadriaj  kërkoi që të mblidhet prapë Komisioni dhe të shtohen këto vërejtje nga ana e deputetëve. 

Në lidhje me Projektligjin u deklaruan edhe deputetë tjerë të pozitës dhe opozitës, ndërsa një qëndrim të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Projektlgijin e dha ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Sipas ministres Haxhiu, në projektligj parashihet që këto dy kategori ta deklarojnë pasurinë, por që deklarimi i tyre nuk do të jetë publik.

“Qëndrimi ynë ka qenë që mjekët dhe profesorët ta deklarojnë pasurinë, por që deklarimi i tyre të mos jetë publik. Janë profesione të ndjeshme dhe duhet të deklarohet pasuria”, tha Haxhiu.

Pas debatit, Kuvendi hodhi Projektligjin në votim, në të cilin morën pjesë vetëm 59 deputetë, që rrjedhimisht nuk pati vendimmarrje.

Në vazhdim Kuvendi shqyrtoi raportin vjetor të  Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021, e cila në mungesë kourumi nuk u hodh në votim.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca njoftoi se seanca me dy pikat e mbetura: shqyrtimi i Mocionit për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesat e Mediave, do të mbahet një ditë tjetër.