Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

13.05.2022

Seanca plenare e nisur më 5 maj, ka vazhduar sot, nën kryesimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca. 

Në fillim të kësaj seance, deputetët shqyrtuan dhe miratuan në lexim të dytë Projektligjin nr.08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës. 

Pas kësaj, u shqyrtua në lexim të parë Projektligji nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. 

Për qëllimin dhe objektivat që synohet të arrihen me këtë Projektligj, sqaroi ministri i Ministrisë së Financave, Hekuran Murati. 

Me këtë rast, ai bëri të ditur se miratimi i këtij projektligji i hapë rrugë rritjes së pagës minimale, ndërkaq, miratimi i tij, shtoi ai, nënkupton edhe ndryshimin e   disa ligjeve. Sipas tij, projektligji i propozuar, po ashtu eviton interpretimet me dykuptimësi të disa neneve të ligjit paraprak. 

Në emër të Grupit Parlamentar të VV-së, si dhe në emër të Komisionit për Buxhet foli deputeti, Armend Muja. Ai u shpreh në favor të projektligjit dhe sqaroi disa nga nenet e tij. 

Në vijim të paraqitjes së tij, deputeti Muja u shpreh: ”Ky Projektligj, apo rritja e pagës minimale, synon rreth 120 mijë përfitues të drejtpërdrejtë, apo rreth 32% të punëtorëve të regjistruar në administratën tatimore të Kosovës”. 

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, fjalën e mori deputeti, Mërgim Lushtaku. Ai kritikoi ecurinë e hartimit të Projektligjit, për të cilin tha ai, nuk janë zhvilluar konsulta të mjaftueshme, ndërkaq, vlerësoi se, veteranët, domosdoshmërisht duhet të përfitojnë nga paga minimale e propozuar me Projektligjin e ri. 

Duke iu referuar nivelit të pagës minimale, Lushtaku vuri në pah edhe nevojën që ajo të jetë më e lartë, sidomos, tha ai, tashmë kur çmimet kanë shënuar rritje enorme. 

Qëndrimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, e paraqiti deputeti, Avdulla Hoti. 
Projektligjin e propozuar ai e cilësoi të papranueshëm, për faktin se, siç tha ai, është kundër parimit bazë për të vendosur bazën e pagës minimale. Deputeti Hoti po ashtu kritikoi Qeverinë, duke vlerësuar se lidhur me këtë projektligj ajo nuk është konsultuar fare Këshilli Ekonomik Social.  

Me këtë rast, ai specifikoi nevojën e ndryshimit të disa neneve që përmban projektligji. 

Kritika të ngjashme, dhe si të papranueshëm, këtë Projektligj e vlerësoi edhe përfaqësuesi Grupit Parlamentar të AAK-së, Bekë Berisha. 

Rëndësi të veçantë deputeti Berisha, i kushtoi çështjes së veteranëve të luftës, të cilët tha ai, janë kategoria më e merituar. Ndërkaq, bëri të ditur se derisa kjo kategori nuk përfshihet në projektligj, ata nuk do ta përkrahin. 

Pas kësaj, vijoi debati lidhur me këtë projektligj, ku deputetët shprehën opinionet e tyre. Me këtë rast, u vunë re mos pajtime ndërmjet përfaqësuesve të pozitës dhe atyre të opozitës. 

Në fund, projektligji u hodh në votim, por nuk pati kuorum për vendimmarrje.
 
Në vijim të seancës u procedua me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.08/L-143 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022. 

Këtë projektligj, para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Financave, Hekuran Murati, ndërkaq, në emër të Grupit Parlamentar të VV-së dhe në emër të Komisionit për Buxhet, fjalën e mori deputeti Armend Muja. 

Ministri Murati, si dhe deputeti Muja, pasi që arsyetuan këtë projektligj dhe potencuan rëndësinë e tij, kërkuan miratimin edhe nga deputetët e tjerë të Kuvendit. 

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së foli deputeti Mërgim Lushtaku, i cili kritikoi projektligjin duke thënë se, buxheti i paraqitur është konsumues dhe pa efekte ekonomike. 

Ngjashëm u shpreh edhe përfaqësuesja e LDK-së, deputetja Hykmete Bajrami, e cila ndër të tjera kërkoi edhe sqarime lidhur me shpenzimet buxhetore të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Financave. Ajo po ashtu vlerësoi se rishikimi i buxhetit nuk premton rritje ekonomike, ndërkaq, paralajmëroi se subjekti që ajo përfaqëson, nuk do ta përkrahë këtë projektligj. 

Kritike ndaj këtij Projektligji, u shpreh edhe përfaqësuesja e AAK-së, Albana Bytyqi. Edhe ajo vlerësoi se Projektligji nuk meriton përkrahjen e deputetëve. 

Pas kësaj, vijoi debati, gjatë së cilit pati mospajtime të thella ndërmjet përfaqësuesve qeveritarë dhe opozitës. 

Në këtë kontest, deputeti Avdullah Hoti, vlerësoi se ky projektligj nuk është rishikim i plotë i buxhetit. Ai, po ashtu u shpreh se Projektligji për rishikimin e buxhetit është në kundërshtim edhe me Ligjin për menaxhimin e financave publike. 

Pas shterimit të debatit projektligji u hodh në votim, por mungoi kuorumi për vendimmarrje. 

Këtu edhe u ndërpre seanca, për vazhdimin e së cilës, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se do të merret vendim gjatë ditëve në vijim.