Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

21.01.2022
Kuvendi i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Glauk Konjufca, kryetar, ka vazhduar sot mbledhjen plenare të filluar më 24 dhjetor.
 
Në këtë seancë, deputetët kanë miratuar pesë projektligje: Projektligjin për ratifikimin e Memorandumit të mirëkuptimit mes Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për Statusin e Pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve përkatëse;  Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Programit Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Bashkimit Evropian nga njëra anë, dhe Kosovës nga ana tjetër, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Horizon Evropë - Korniza e Programit për Kërkimin dhe Inovacionin, si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Evropian Evropa Kreative (2021-2027).
 
Më pas, deputetët me votim të fshehtë kanë zgjedhur Fahret Delija, anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ndërkaq, asnjëri nga kandidatët e komunitetit serb, nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme. Për këtë pozitë do të shpallet konkursi.
 
Po ashtu, deputetët me votim të fshehtë kanë zgjedhur dy drejtorë të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, “NP KOSTT”, Sead Mujovi dhe Liza Marku.
 
Në vazhdim, Kuvendi me votim të fshehtë ka zgjedhur edhe tre (3) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, Besnik Berisha (me mandat 4-vjeçar), Jeton Mehmeti dhe Fadil Basha (me mandate tre vjeçar). Përcaktimi i mandatit të tyre është bërë me short nga komisioni përzgjedhës.  
Kuvendi, ka ndërprerë punimet për të vazhduar gjatë ditës së hënë, 24 janar.