Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

06.12.2021

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, vazhdoi punimet me pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 22 dhe 28 korrik; 6, 19, 21, 28 korrik dhe 6 gusht; 9 tetor; 18, 19, 22 dhe 23 nëntor; 25, si dhe 26 nëntor 2021.

Në fillim të kësaj seance, me kërkesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në bazë të vendimit me nr. 73/2021 të datës 26.11.2021, Dragana Antonioviq, dha betimin e deputetit në vend të Ivan Dodosioviqit, nga Lista Serbe.

Më pas, kryetari Konjufca, kërkoi nga deputetët që të mbajnë një minutë heshtje me rastin e vdekjes së mikut të madh të Kosovës, senatorit amerikan Bob Dole. “Kontributi i tij për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, nuk do të harrohet kurrë nga populli dhe institucionet tona. U prehtë në paqe miku i madh i Kosovës, Bob Dole”, u shpreh kryeparlamentari Konjufca.

Pas shqyrtimit të raportit të Auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të N.P. Hortikultura për vitin 2020, me 59 vota për, Kuvendi miratoi rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, lidhur me këtë raport.

Po ashtu, me 84 vota për, Kuvendi miratoi Projektligjin nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Pas sqarimeve të nevojshme nga Arbërie Nagavci, ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknoligjisë dhe Inovacionit, Kuvendi me 81 vota miratoi Projektligjin nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”.

Tutje, Kuvendi ka miratuar kërkesën e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, që të emërtohet Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim

Në këtë seancë, Kuvendi nuk miratoi Raportin vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2020; Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2020; Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2020; Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2020, dhe Raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2020.

Ndërkaq, në mungesë të kuorumit, votimi për Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2020, dhe për Raportin vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, u shtyen për një nga seancat plenare të radhës.

Edhe Shqyrtim propozim-vendimi i Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS” Sh.P.K, në mungesë të prezencës së ministres, u shty për njërën nga seancat e radhës.

Në vazhdim, Kuvendi i Kosovës nuk zgjodhi anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Po ashtu, nuk zgjodhi as një anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Kryetari Konjufca njoftoi që do të përsëritet konkursi për pozitën anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, Kuvendi  me procedurë të fshehtë të votimit, zgjodhi pesë anëtarë të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, prej të cilëve me 60 vota për, kryesuese e këtij bordi u zgjodh Selvete Grajçevci-Pllana, kurse anëtarë u zgjodhën: Jahir Gashi, Gani Kastrati, Gani Maliqi dhe Rezarta Pushkolli-Makolli.

Më pas, Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin nr. 08-L-022 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, dhe Projektligjin nr.08/L-029 për punimet nga metalet e çmuara, të cilat fillimisht janë prezantuar dhe arsyetuar nga kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

Kuvendi, po ashtu me votim të fshehtë ka zgjedhur anëtarë të Bordit të RTK-së me mandat katërvjeçar: Driton Hetemi, Safet Kabashaj dhe Bekim Sele. Me mandat trevjeçar: Fatime Lumi-Qehaja; Albulena Mehmeti. Me mandat dyvjeçar: Arta Berisha; Shukrije Rama dhe Besnik Boletini. 

Kurse, konkursi për një anëtar të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb, do të përsëritet, pasi asnjëri nga kandidatët nuk i mori votat e nevojshme.