Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës

21.01.2022

Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kuvendi i Republikës së Kosovës vijoi sot punimet me pikat e papërfunduara, nga seanca plenare e mbajtur më 20 janar të këtij viti. 
 
Fillimisht, seanca shqyrtoi Projektligjin nr. 08/L-101 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”.
 
Arsyetimin e këtij Projektligji, në emër të Qeverisë e bëri ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Me këtë rast, ministri Murati theksoi se kjo marrëveshje ka për qëllim reformimin e politikave dhe asistencave sociale për familjet në nevojë. Sipas tij, vlera totale e këtij projekti të reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë arrinë deri në 47 milionë euro.
 
Sipas procedurës, folën kryetarët e grupeve parlamentare, të cilët shprehën qëndrimet e grupeve që përfaqësojnë. Kështu, me 75 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk i dha mbështetje me votë projektligjit në fjalë.
 
Më tej, seanca vijoi punimet me shqyrtimin dhe miratimin në lexim të dytë, të tri projektligjeve: Projektligjit nr. 08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, Projektligjit nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale, si dhe Projektligjit nr. 08/L-057 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/ L-089 për Deminim Humanitar.
 
Ndërsa, seanca për shkak të mungesës së komuniteteve joshumicë nuk e shqyrtoi Projektligjin nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. 
 
Ndërkaq, në mungesë të kuorumit nuk u hodh në votim Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2020.