Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

17.05.2021

Bazuar në kërkesën e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën kryesimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ka mbajtur sot seancë të jashtëzakonshme, me temën: Prezantimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.

Në nisje të seancës, deputetët, në nderim të jetës dhe veprës së doajenit të muzikës popullore, Ismet Bogujevci, mbajtën një minutë heshtje.

Pas kësaj, fjalën e mori kryeministri Albin Kurti, i cili duke shkoqitur pjesë nga Programi qeverisës tha: “Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin riafirmim i vitalitetit tonë si shoqëri dhe si popull. Ishin konfirmim i besimit në vlerat më bazike të punës dhe dijes, mirësjelljes dhe përuljes, ndershmërisë dhe sinqeritetit”. Më pas, ai vuri në dukje angazhimet qeveritare, të parashikuara në Programin qeverisës, ku vend të veçantë zinte   menaxhimi i pandemisë.  Lidhur me këtë, kryeministri Kurti tha:” Me marrjen e mandatit ne kemi hartuar pa humbur kohë një plan i cili synonte që së pari të ndalte trendin e rrezikshëm që e trashëguam të rritjes së infektimeve dhe të vdekjeve, dhe pastaj të kthenim mbrapsht këtë trend me synim eliminimin e vdekjeve si pasojë e COVID-19”.

Në vijim, ai shtoi se pas 41 ditësh të hyrjes në fuqi të masave të reja, mund të raportoj se këto masa ishin efektive dhe të suksesshme.

Lidhur me suksesin në menaxhimin e pandemisë, kryeministri Kurti njoftoi se  gjatë 55 ditëve në qeverisje, është arritur të sigurohen 74,100 vaksina ndërsa deri në fund të këtij muaji, u shpreh ai, do të kemi edhe 142,530 vaksina tjera që gjithsej arrijnë në 216,630 vaksina.  Me këto dhe me pritjet që kemi për muajin qershor, vijoi kryeministri, jemi në rrugë të mirë për të garantuar imunizimin e 60% të popullsisë në grup moshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fundin e vitit 2021.

Duke iu referuar Programit qeveritar më në detaje, kryeministri Kurti u shpreh se ai është reflektim i premtimeve jo vetëm të fushatës elektorale por edhe i premtimeve ndaj së ardhmes.

Lidhur me këtë, ai u shpreh se do të ketë  investim në shkolla dhe çerdhe publike, si dhe kujdes të shtuar në edukim cilësor. Ai paralajmëroi investime në 160 çerdhe dhe në adaptimin e hapësirave të institucione shkollore, përfshirje në edukimin e fëmijërisë së hershme nga 7% në 24% për fëmijët e moshës 0-5 vjeç dhe nga 38% në 64% për fëmijët e moshës 3-6 vjeç.

Pasi foli për reformat, si dhe investimet në fushën e arsimit, kryeministri i vendit foli edhe për investimet e parapara në shëndetësi.

Në vijim të ekspozeut të tij me këtë rast, kryeministri Kurti, po ashtu bëri të ditur se në Programin qeverisës, vend të rëndësishëm i është kushtuar edhe barazisë, si dhe  mbrojtjes dhe mundësive të barabarta.

Lidhur me këtë ai vuri në spikamë qëllimin e Qeverisë ( të përfshirë në  Programin qeveritar), sipas së cilit është paraparë zbatimi i programit të shtesave për fëmijët. Lidhur me këtë, kryeministri tha: ”Fëmijët nën moshën 2 vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurove në muaj, ndërsa fëmijët nën moshën 16 vjeçare, do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 10 euro në muaj. Do të ndryshojmë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, në atë mënyrë që të dy prindërit ta kenë këtë mundësi. Për nënat e papuna, do të paguajmë pagën minimale prej 250 euro, për 6 muajt e pushimit të lehonisë“.

Më pas, kryemistri foli edhe për investimet që është paraparë të ndodhin në ekonomi, bujqësi, kulturë dhe sport, drejtësi, politikën e jashtme, politikaën e jashtme dhe dialogu me Serbinë, si dhe çështje të tjera të përfshira në Programin qeverisës.

Për sa i përket dilogut me Serbinë, kryeministri i vendit Albin Kurti, u shpreh: ”Ne mund të mos pajtohemi për shumë çështje por le të provojmë të pajtohemi karshi politikës ndaj Serbisë. Në secilën ditë të javës e në secilën orë unë jam i gatshëm të takohem me cilindo lider të opozitës i cili nuk pajtohet me parimet e qëndrimet tona për dialogun dhe ka propozime tjera se si të mbrojmë më mirë interesin e Republikës”. Por, u shpreh më pas kryeministri, mos harroni se ju që jeni në opozitë sot keni qenë në pushtet në këto dy dekada që lamë pas. Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë time në dialog është në zhbërjen e dëmit që keni shkaktuar ju.

Në fund të fjalës sëtij, kreu i ekzekutivit të vendit Kurti u shpreh: ”Ky është programi dhe kjo është qasja jonë ndaj të ardhmes. Natyrisht, ky program nuk është i shkruar në gur dhe presim çdo sugjerim dhe çdo kritikë për ta përmirësuar”.

Pas kësaj, fjalën e morën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Në emër të VV-së foli Mimoza Kusari – Lila, e cila Programin qeverisës të paraqitur nga kryeministri Kurti, e vlerësoi si më të mirin nga 6 programet e qeverive të kaluara.

Qëndrimin e PDK-së lidhur me këtë program e paraqiti deputeti Enver Hoxhaj, njëherësh lider i këtij subjekti politik.

Ai ngriti një varg kritikash në adresë të kryeministrit, ndërkaq, lidhur me Programin qeverisës ai u shpreh se është Programi më i dobët qeverisës i paraqitur gjer më tani në Kuvend. Kritika të shumta ai paraqiti edhe lidhur me menaxhimin e pandemisë, veçanërisht me mungesën e vaksinave.

“Programi nuk ka plan veprimi, objektivat nuk përkthehen në aktivitete konkrete, nuk ka afate kohore, nuk ka buxhet, nuk dihen as institucionet përgjegjëse. Ky është programi më i dobët e më i kotë dhe do të mbahet mend për pasaktësinë aritmetike, për përsëritje në vend të përmbajtjes”, tha Hoxhaj.

Sipas tij, shkaku se Programit qeveritar ka  përmbajtje kaq të dobët  është kryeministri Kurti. “Çdo demagog dhe popullist e ka talentin e veçantë t’i bëjë reklamë vetes,  e këtë talent e ka edhe Albin Kurti”, tha Hoxhaj.

Lidhur me menaxhimin e pandemisë, Hoxhaj u shpreh:” Kujtoni  pamjet  e shëmtuara të trajtimit të prindërve, gjyshërve dhe të moshuarave tanë, ku ata shtyheshin me njëri tjetrin, pa fajin e tyre, për të marrë një vaksinë. Këto tha ai,  tregojnë që vendi është drejt një katastrofe shëndetësore.

Pas shumë kritikave dhe rekomandimeve, në fund të fjalës së tij, deputeti dhe lideri aktual i PDK-së, Hoxhaj, u shpreh: ”Programi qeverisës i Albin Kurtit, është një përrallë  dhe ikje nga realiteti e premtimet zgjedhore”.

Në emër të LDK-së, si dhe në cilësin e liderit të kësaj partie foli deputeti Lumir Abdixhiku.

Në fjalën e tij me këtë rast, Abdixhiku vuri në spikamë mangësi të shumta, që sipas tij dhe subjektitit që ai përfaqëson ka në Programin qeverisës, të paraqitur nga kryeministri Kurti.

Të presësh, tha ai,  60 ditë e të marrësh një dokument 60 faqesh si përfundim, veç fillon të kesh dyshim mbi aftësinë e dikujt që të gjitha problemet ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore, të rendit e ligjit, të sigurisë e integrimit, të dialogut e punësimit, të korrupsionit e nepotizmit, të kapjes e pandemisë, do t’i përfshijë në 60 faqe platformë.

Për befasinë time e tonën, vijoi Abdixhiku, ky është një dokument që s’përmban ndonjë masë, ndonjë matje e ndonjë numër.

“S’përmban as kohë se kur do të nisë e kur do të përfundojë një politikë qeveritare për katër vjet planifikim. S’thotë gjë, askund, përjashto ndonjë politikë dytësore aty – këtu se çfarë problemi do të adresojë, çfarë rezultati do të japë, kush do ta implementojë, sa do të kushtojë, e si do ta bëjë atë. Këtë pret secili nga një Program Qeverisës. Çfarë do të bëhet për katër vjet e si do të duket vendi ynë i përbashkët katër vjet nga sot”, u shpreh i habitur Abdixhiku.

Në fund të fjalës së tij, Abdixhiku tha se deklaratat e VV-së se, do të bëjmë politika të mira, nuk janë masa, por, vetëm parulla, ndërkaq, duke iu drejtuar kryeministrit dhe kabinetit qeveritar lidhur me performancën e gjertanishme në qeverisje, ai u shpreh: “Nuk e keni të qartë se çfarë do të bëni tash që jeni në pushtet”.

Qëndrimin e AAK-së e shpalosi shefi i këtij grupi parlamentar, Besnik Tahiri.

Me këtë rast, Programin qeveritar të parqitur nga kryeminisdtri Kurti, ai e cilësoi si deklaratë politike, e që nuk praqet synime dhe objektiva të qarta politike. Ai po ashtu vlerësoi se, bazuar në Programin e paraqitur nga kryeministri Kurti, nënkuptohet  që, kreu i Qeverisë është dorëzuar para besimit të shprehur nga qytetarët, andaj shtoi Tahiri, Programi në vend se të artikulojë caqe dhe synime specifike, ai i ikë kësaj metode dhe na prezanton një rrëfim të dikastereve pa asnjë veprim dhe masë konkrete. Flet për veprime pa caqe të matshme, tha në fund të fjalës së tij shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, BesnikTahiri.

Kritik ndaj Programit qeverisës u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai fillimisht vlerësi se seanca e sotme e thirrur nga kryeministri Kurti, është përpjekje për të  ndërhyrë në punën e Kuvendit, ndërkaq,  Programin qeverisës e cilësoi si fletushkë pa përmbajtje.

Në cilësin e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, fjalën e mori Abelard Tahiri. Ai, pasi kritikoi Programin qeverisës, u fokusua edhe në çështje që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave si dhe dialogun me Serbinë.

Në paraqitjen e tij, Tahiri adresoi një varg pyetjesh për kryeministrin Kurti, e që kishin të bënin me fillimin e dialogut dhe liberalizimin e vizave për qytetarët tonë. Duke kujtuar deklarimet e më hershme të kryeministrit Kurti, se dialogun me Serbinë nuk do ta zhvillojë pa u zbardhur fati i të pagjeturve dhe se Serbia duhet kërkuar falje për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë, Tahiri deshi të dijë qëndrimin e tashëm të kryeministrit Kurti. 

Grupi Parlamentar Multietnik në këtë seancë u prezantua nga deputeti, Enis Kervan. Ai deklaroi se në parim mbështetë Programin qeveritar të paraqitur nga kryeministri Kurti, por që kërkoi përfaqësim edhe më të madh të komunitetve në institucionet e vendit.

Seanca ka vijuar me debate të papajtueshme ndërmjet deputetëve të opozitës dhe atyre të pozitës nga ana tjetër, si dhe ministrave të kabinetit qeveritar.

Opozita nëpërmjet përfaqësueseve të vet në Kuvend ishte këmbëngulëse të faktojë se Programi qeveritar nuk përmbush pritjet e qytetarëve, dhe si i tillë, vlerësuan ata, është hartuar vetëm sa për të joshur dhe mbajtur votuesit. Me këtë rast, ata përmendën shtesat për fëmijë, të cilat janë të paraparë në Programin qeverisës të paraqitur nga kryeministri Kurti.

Përfaqësuesit e pozitës, ndërkaq, u shprehën të bindur se Programi qeveritar është ndër programet më të mira të paraqitura deri më tani.

Në këtë frymë debati u zhvillua deri në orët e vona të pasdites.

Pas kësaj, kreu i Kuvendit Konjufca, vendosi ta ndërpresë seancën, debati i së cilës do të vijojë të mërkurën, duke nisur në orën 11:00.