Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e sotme të seancës plenare

30.11.2022

Kuvendi i Republikë së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancën plenare të radhës, me të vetmen pikë të rendit të ditës, interpelancë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti për çështjen: “Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me situatën e krijuar në vend”.

Seanca filloi punimet me fjalën e deputetit Ramush Haradinaj, i cili në e cilësinë iniciuesit të interpelancës, shpalosi pikat e propozuara si vijon: Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim të menjëhershëm për shtyrjen e vendimit për targa, deri në marrëveshjen finale, Kuvendi, Presidenca, Qeveria dhe institucionet e tjera nga të gjitha nivelet shtetërore, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për tu kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë, Qeveria të fillojë komunikimin intensiv me faktorët më relevantë në vend, përfshirë edhe opozitën, si nevojë për gjetjen e rrugëdaljes nga situata e krijuar, si dhe të kërkohet një samit disaditor me ShBA-të, deri në përmbyllje të marrëveshjes finale për njohje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Duke marrë fjalën në seancë, kryeministri Albin Kurti tha se në kuadër të diskutimeve të zhvilluara në Bruksel, fokusi i palës së Kosovës ishte tek propozimi i BE-së për dialog për marrëveshje, dhe jo dialog për zgjidhje të ndonjë problematike tjetër. Ndërkaq, sa i përket konvertimit të targave ilegale në komunat veriore të Kosovës, kryeministri Kurti tha se një gjë e tillë është e drejtë por edhe obligim i qytetarëve të Kosovës.

Kreu i qeverisë tha se ka ftuar politikanët për konsultim, përfshirë edhe thirrësin e interpelancës.

“Ajo që na bashkon është sovraniteti dhe integriteti territorial. Qytetarët kanë votuar për qasjen e re në dialog. Kritikat i mirëpres, por në të njëjtën kohë, duhet ta kuptoni qartësisht, drejtësinë dhe dobinë e kësaj qasje të re. Sikur të ishim sikur qeveritë e kaluara, kur vareshin nga Lista Serbe, ndoshta do të kishte mocion mosbesimi pas këtyre veprimeve që kemi bërë, por ja që ka ndodh ndryshimi i madh dhe kjo nuk po bëhet e mundur. Duhet të gëzohemi që Qeveria nuk varet nga Lista Serbe”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se serbët lokalë nuk kanë asgjë kundër institucioneve të Kosovës dhe dëshmi për këtë, sipas tij, është fakti se Policia e Kosovës shqiptoi 1800 masa qortuese dhe për to nuk pati asnjë ankesë apo incident.

Kryeministri Kurthi tha se policia nuk po bën asgjë të jashtëligjshme apo të jashtëzakonshme, pasi po kryen obligimet ligjore për shtrirje të sovranitetit.

“Operacionet e Policisë nuk janë bërë asnjëherë për përkatësi etnike apo ndaj një vendi të caktuar. Policia e ka zbatuar çdo ditë ligjin dhe misionin e tyre për sundim të ligjit që duhet ta ketë në shënjestër korrupsionin. Policia është sulmuar si asnjëherë më parë në veri, por ia ka dalë. Jam përjetë mirënjohës për këtë punë sakrifikuese që e kanë bërë. Policia nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokalë”, tha para deputetëve kryeministri Albin Kurti.

Tutje, në emër të GP të VV-së, u deklarua deputeti Armend Muja, i cili theksoi se duke e ndjekur parimin e reciprocitetit, ka arritur edhe njohja e ndërsjellë e letërnjoftimeve, diplomave dhe kualifikimeve akademike, si dhe lëvizja e lirë me tabela të Kosovës, e cila, sipas tij, është fundamentale në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët rajonal. Gjithashtu, Muja tha se demokracitë nuk e luftojnë njëra-tjetrën dhe se demokratizimi është parakusht për përmirësimin e raporteve ndërmjet njerëzve dhe ndërmjet shteteve.

Ndërkaq, nga GP i PDK-së, fjalën e mori deputeti Enver Hoxhaj, i cili tha se situata në veri të vendit është në pikën më të ulët të politikës dhe të sigurisë, në 20 vitet e fundit. Hoxhaj tha se gjendja aktuale nuk është vakum, por është humnerë politike, në të cilën komunat e Kosovës janë pa kryetarë, ku asambletë komunale janë pa këshilltarë, stacionet e policisë janë pa policë, gjykatat dhe institucionet e drejtësisë pa prokurorë e pa gjykatës. Sipas tij, kjo është situata reale në të cilën gjendet Kosova, prandaj Hoxhaj propozoi që të zhvillohet një seancë e mbyllur, në koordinim me kryeministrin, për ta shtjelluar tutje situatën në veri.

Ndërsa nga GP i LDK-së, u deklarua deputeti Lumir Abdixhiku, i cili duke e cituar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, se “palët e kuptojnë që të gjitha marrëveshjet paraprake të dialogut duhet të implementohen”, referuar edhe asociacionit për komunat serbe, tha se nuk ka dallime nga qëndrimet paraprake të së kaluarës mbi idenë e formimit të asociacionit. Ai shtoi se politikat euforike të Qeverisë në raport me dialogun me Serbinë e kanë sjellë Kosovën në destabilitet, por edhe në fajësi.

Tutje, nga GP i AAK-së, u deklarua sërish deputeti Ramush Haradinaj, i cili e vlerësoi si qasjen e kryeministrit si demagogjike, e cila, siç tha ai, nuk do ta ketë mbështetjen e opozitës. Po ashtu Haradianj tha se arsyeja e propozim-rezolutës së sotme është për ta ndihmuar interesin dhe sakrificën e vendit tonë ndër vite.

Pas diskutimeve të shumta nga ana e deputetëve, fjalën e mori deputeti Besnik Tahiri, i cili në diskutimin përfundimtar, paraqiti projekt-rezolutën, me pikat e lartpërmendura dhe për të cilat kërkoi mbështetjen e të gjithë deputetëve.

Duke hyrë në proces të votimit, me 21 vota për, 42 vota kundër dhe 1 abstenim, projekt-rezoluta e propozuar nuk u miratua nga Kuvendi i Kosovës.