Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

30.06.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancën e rregullt plenare.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, seanca vijoi me debatin parlamentar për masat që duhet të ndërmerren për të ndihmuar qytetarët të përballen me rritjen e çmimeve në produktet esenciale, i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në cilësinë e propozuesit, deputeti Besian Mustafa tha se propozimi i LDK-së është i thjeshtë dhe kërkon reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në derivate, si dhe zgjerim të listës së produkteve me TVSH të reduktuar. 

Pas prezantimit të propozuesit u deklaruan kryetarët e grupeve parlamentare.

Kryetarja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se çmimet janë rritur si pasojë e luftës në Ukrainë, e jo se Qeveria ka rritur ndonjë taksë.

“Rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e ndikimeve nga jashtë. Ndërsa për të lehtësuar jetën e qytetarëve Qeveria ka miratuar një udhëzim administrativ, sipas të cilit rregullohen çmimet për produktet e naftës, duke caktuar marzhën e fitimit maksimal që mund të kenë tregtarët e këtij produkti”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se VV nuk përkrah propozimin e LDK-së, për të cilin theksoi se reduktimi i TVSH-së ndikon në uljen e të hyrave, ndërsa në emër të GP të VV propozoi që të iniciohet projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë, ato të cilat janë të përcaktuara edhe me Ligjin e TVSH-së dhe që janë me normën 8 për qind. 

Në emër të PDK, kryetari i grupit, Abelard Tahiri, kritikoi Qeverinë për, siç tha ai, mosveprime dhe neglizhencë lidhur me krizën me të cilën po ballafaqohen qytetarët. 

“Ne jemi të vetëdijshëm se si ka ardhur deri te kjo ngritje e çmimeve dhe normalisht që nuk e fajësojmë për çdo gjë Qeverinë, por Qeverinë e fajësojmë për neglizhencë dhe mosveprime dhe për angazhimin e saj për ta trajtuar këtë krizë, e cila po e rëndon jashtëzakonisht shumë jetën e qytetarëve në Republikën tone”, tha Tahiri.

Ndërsa në emër të GP të LDK-së, deputetja Hykmete Bajrami tha se pushteti i tanishëm më parë kishte premtuar që të jetë afër qytetarëve, ndërsa theksoi se Kosova nuk mund të prodhojë mjaftueshëm asnjë produkt bazë, ndërsa kritikoi propozimin e GP të VV-së për vendosjen e marzhës së fitimit, duke thënë se kjo nuk mund të bëhet në ekonominë e tregut të lirë.

Në emër të GP të AAK-së, deputeti Pal Lekaj tha se Kosova është në krizë politike dhe ekonomike, duke kërkuar nga qeveria angazhime për t’i tejkaluar këto kriza. Në fjalën e tij, Lekaj propozoi disa masa. 

“Për një periudhë tremujore të hiqen të gjitha taksat për artikujt esencialë për produktet e miellit, vajit, sheqerit, produktet e qumështit, të përgjysmohen taksat për karburantet e naftës, benzinës dhe gazit, të ridraftohet Ligji për Pagën minimale ku shuma prej 250 euro të ngritet në 350 dhe në këtë ligj të përfshihen edhe veteranët”, theksoi ndër të tjera Lekaj. 

Pas deklarimeve të përfaqësuesve të partive parlamentare fjalën e mori kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti tha se është evidente që në Kosovë janë rritur çmimet, por shtoi se Kosova nuk është vendi i vetëm që po përballet me këtë situatë. Ai tha se pas vendimit për kufizim të marzhës së fitimit për karburantet edhe çmimi i këtyre produkteve është stabilizuar, ndërsa shtoi se Qeveria ka bërë maksimumin që të sigurohet se po i merr masat e nevojshme.

“Kosova nuk është e vetme në këtë situatë të rritje të çmimeve. Çmimet janë rritur globalisht edhe për shkak të kufizimeve në zinxhirin e furnizimit. Pra kryesisht kemi të bëjmë me inflacion të importuar, mbi të cilin ne si qeveri nuk është se kemi ndonjë mënyrë kontrolli apo ndikimi. Si Qeveri kemi bërë maksimumin që të sigurohemi se po i marrim masat e nevojshme për të arritur tri qëllime kryesore: e para, të parandalojmë presionet inflacione të brendshme për aq sa mundemi, e dyta të mbështesim ata që kanë më së shumti nevojë dhe e treta të ndërmarrim masa kundër tregtarëve spekulantë që tentojnë të shfrytëzojnë këtë krizë për të trashur fitimet e tyre”, tha kryeministri Kurti. 

Duke listuar masat që qeveria ka ndërmarrë për krizën energjetike, si dhe masat tjera, kryeministri Kurti tha se për çmimet e karburanteve, pas vendimit për kufizim të marzhës së fitim edhe këto çmime janë stabilizuar.

Në debat morën pjesë edhe deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

Pas përfundimit të debatit, Besian Mustafa propozoi rezolutën me anë së cilës kërkohet reduktimi i akcizës dhe norma e TVSH-së në derivate për një periudhë tremujore, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, si dhe zgjerimi i listës së produkteve esenciale me TVSH të reduktuar për tre muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj tjerë, varësisht nga zhvillimet ndërkombëtare.

Nga 71 deputetë pjesëmarrës në votim, për rezolutën votuan 24, ndërsa kundër ishin 47 deputetë. Rrjedhimisht, rezoluta e propozuar nuk i mori votat e mjaftueshme për të kaluar në Kuvend. Pas votimit, kryetari Konjufca ndërpreu seancën e sotme, për të vazhduar nesër në orën 10:00.