Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

25.11.2021

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme plenare, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, shqyrtoi Projektligjin nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Seanca filloi punimet me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare nga ana e deputetëve, në të cilat morën përgjigje nga kabineti qeveritar.

Në vazhdim, në emër të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, zv/kryetarja Jeta Statovci propozoi ndryshimin e rendit të ditës me futjen në shqyrtim të Projektligjit nr.08/L-067 për Inspektime, duke shmangur afatet procedurale të parapara me rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës,  propozim i cili u miratua me shumicë votash nga ana e deputetëve.

Më pas, me propozim nga ana e GP të LVV-së dhe atij të PDK-së, për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare, me shumicë votash, ky propozim mori mbështetjen e nevojshme nga deputetët e pranishëm në seancë.

Tutje, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, paraqiti dhe arsyetoi para Kuvendit Projektligjin nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

“Ne sot para jush si Qeveri, paraqesim Projektligjin e ndarjeve buxhetore për vitin 2022. Sa i përket vitit që po e lëmë pas, ne kemi përcjellë me kujdes treguesit kryesorë ekonomikë, përgjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, dhe sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, bruto produkti vendor përgjatë gjysmës së parë të vitit 2021, ka shënuar një rritje mesatare prej 10.5%, rritje e cila është në linjë me pritjet tona për rimëkëmbje të theksuar ekonomike, pas lehtësimit të masave kufizuese të ndërmarra në kuadër të Pandemisë COVID-19”, theksoi Murati.

Në përmbylljen e fjalës së tij për prezantimin e Projektligjit nr.08/L-066, ministri Murati kërkoi mbështetjen e deputetëve të Kuvendit, për ta votuar këtë projektligj në lexim të parë.

Tutje, në emër të GP të LVV-së, fjalën e mori deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila ndër të tjera tha se në projektbuxhetin e vitit 2022 përfshihen parimet qeverisëse të bazuara në transparencë, llogaridhënie, ulje të shpenzimeve dhe ndalim të shpenzimeve të panevojshme nga vendimet e qeverive të mëhershme.

Nga GP i PDK-së, fjalën e mori deputeti Mërgim Lushtaku, i cili tha se projektbuxheti i vitit 2022 nuk jep ndonjë mesazh përmirësimi për mirëqenien e qytetarëve, për gjendjen arsimore, apo për atë shëndetësore. Gjithashtu, ai tha se nuk ka shpresë për rritje të pagave për të punësuarit e nuk pritet ndryshime as për zhvillimet e bizneseve që janë dëmtuar nga pandemia.

Ndërkaq, nga GP i LDK-së, fjalën e mori deputeti Avdullah Hoti, i cili duke iu referuar projektbuxhetit të paraqitur, tha se për tri vitet e ardhshme nuk është paraparë asnjë investim madhor në infrastrukturë dhe nuk pritet ndihmë për sektorin privat, e as pagat e sektorit mjekësor nuk pritet të rriten.

Deputeti Pal Lekaj nga GP i AAK-së, theksoi se në projektbuxhetin e vitit 2022 të prezantuar nga Qeveria, nuk është trajtuar fare rritja e pagave, përkundër rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, ndërsa rritja e subvencioneve bujqësore prej 11 milionë eurosh, sipas tij, është e zakonshme dhe e pamjaftueshme në krahasim me nevojën e këtij sektori. 

Në emër të GP Multietnik, deputetja Duda Balje paraqiti disa kërkesa të cilat lidhen me projektet e papërfunduara nga vitet paraprake, siç janë ndërtimi i shtëpive për familjet e komuniteteve joshumicë si dhe kërkesa për zgjidhjen e problemit të mungesës së ujit për komunitetin boshnjak dhe atë turk.

Debati për projektligjin vijoi gjatë gjithë ditës, me ç’rast deputetët paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me planifikimet buxhetore që ekzekutivi ka paraparë për vitin e ardhshëm.

Pas shterimit të diskutimit, kryeparlamentari Konjufca e hodhi në votim Projektligjin nr.08/L-066, i cili me 65 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, u miratua nga Kuvendi.

Buxheti për vitin e ardhshëm është planifikuar të jetë 2 miliardë e 746 milionë.

Në emër të GP të LVV-së, deputeti Armend Muja propozoi që shqyrtimi i mëtejmë i projektligjit të bëhet me procedurë të përshpejtuar, me shmangie nga afatet procedurale, duke kaluar për shqyrtim të dytë në seancën plenare të fundit të paraparë për këtë vit, e që deputeti Muja propozoi të mbahet më datën 22.12.2021.

Punimet e seancës së sotme u përmbyllën me miratimin e propozimit të GP të LVV-së, për shqyrtimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar.

Po sot, në kuadër të 25 Nëntorit - Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, është hapur fushata "16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Me këtë rast, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur shalla, shamia dhe simbole të tjera ngjyrë portokalli, në mbështetje të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Seanca vijon punimet nesër në orën 10:00.