Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

11.05.2021

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, u shqyrtua raporti i auditimit të performances të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve.

Me këtë rast, të gjeturat i paraqiti anëtarja e Komisionit, Arta Bajralija, në cilësinë e deputetes raportuese, bazuar në këtë raport. Veç tjerash, u tha se siguria e të dhënave është shqetësuese, ndërsa pas sqarimeve të kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Ilir Berisha, lidhur me zbatimin e rekomandimeve, disa nga anëtarë të Komisionit vlerësuan këtë institucion për efikasitet të shpejtë për masat që ata kanë ndërmarrë e disa anëtarë tjerë paraqitën disa shqetësime lidhur me të gjeturat. 

Lidhur me masat e ndërmarra ASK-në e falënderuan edhe përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Përfaqësuesi i ASK-së, Berisha, tha se gjetjet nga auditori janë pranuar me mirëkuptim dhe se kanë bërë Planin e Veprimit për zbatim të rekomandimeve. Nga 16 rekomandime, 9 janë përfunduar, 3 janë në proces, ndërsa 4 sosh akoma nuk janë kryer, ndërkaq dha sqarime në detaje në çështjet që ngritën anëtarë të Komisionit.  

Pas shterimit të diskutimit lidhur me këtë raport, Komisioni në vijim diskutoi edhe lidhur me trajtimin e raporteve tjera të auditimit për mbledhjet tjera të radhës.