Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

30.11.2022

Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetarja, Rrezarta Krasniqi, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës. 

Paraqitja e sotme në Komision e  zv/ kryeministrit Bislimi, kishte të bënte me Raportin e KE-së për Kosovën, përkatësisht të arriturat, ngecjet dhe rekomandimet për përmbushjen e agjendës së integrimeve evropiane. 

Për sa i përket raportit, zv/ kryeministri vlerësoi se ai është ndër më të mirët  e gjertanishëm dedikuar vendit tonë. 

Duke folur për të arriturat, të cilat raporti i përmban,  zv/ kryeministri Bislimi, vuri në spikamë stabilitetin politik dhe institucional të vendit. 

Në vijim, ai u fokusua në të arriturat që i përkasin fushës legjislative, duke listuar me këtë rast një varg ligjesh të miratuara, përfshirë këtu edhe Rregulloren e Punës së Kuvendit. 

Gjatë  ekspozeut të paraqitur nga zv/ kryeministri Bislimi, me rëndësi u cilësuan edhe disa nga vendimet qeveritare, të përfshira po ashtu në raport. 

Vendimi që disa nga   terminalet doganore të kalojnë nga private në publike, si dhe vlerësimi se, nuk ka pasur ndërhyrje në gjyqësor e as në punësim, janë të arritura të cilat nuk përmbanin raportet e më hershme, tha Bislimi.  

Pas kësaj u zhvillua debat, gjatë të cilit  përfaqësuesit opozitar në Komision hodhën kritika, se zv/ kryeministri Bislimi, nuk është duke e paraqitur raportin në përbërje të plotë, por vetëm aspekte pozitive, duke lënë anash kritikat dhe rekomandimet. 

Liria e mediave, jo transparenca qeveritare, sidomos lidhur me dialogun, ishin vetëm disa nga kritikat që opozita ngriti me këtë rast. 

Po ashtu, përfaqësuesit opozitar vlerësuan se për të arriturat e theksuara në raport, meritore është edhe opozita.