Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Integrim Evropian

05.10.2022

Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga kryetarja, Rrezarta Krasniqi, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës. 

Raporti i  sotëm në Komision i  zv/ kryeministrit Bislimi, kishte të bënte me zbatimin e Planit të Veprimit, të  fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikë së Kosovës – Agjendës për Reforma Evropiane (PV ERA II), gjatë periudhës prill – qershor 2022.  

Lidhur me këtë, zv/ kryeministri vuri në spikamë angazhimet qeveritare, për të cilat ai vlerësoi se ato janë duke vijuar me intensitet të lartë dhe të vlerësuara pozitivisht edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar. 

Në vazhdën e diskutimit të tij, ai në mënyrë të detajuar shpalosi të arriturat konkrete që kishin të bënin me këtë çështje. 

Me këtë rast, zv/ kryeministri Bislimi, u shpreh: ”Faza e dytë e prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës – Agjenda për Reforma Evropiane (ERA II),  është dokument i përbashkët për përmbushjen e detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), përkatësisht për zbatimin e reformave prioritare që kërkojnë vëmendjen e nivelit më të lartë politik. ERA II, me 15 prioritete, është vazhdimësi e fazës së parë të (22) prioriteteve politike, të dakorduara në vitin 2016. Këto prioritete fokusohen në reformat kyçe ekonomike, për forcimin e sundimit të ligjit dhe të qeverisjes demokratike, si dhe në fushat e arsimit, punësimit dhe shëndetësisë. Për zbatimin e këtyre prioriteteve, institucionet e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, kanë hartuar Planin e Veprimit (PV ERA II), i cili është miratuar nga Qeveria, më 11 gusht 2021, dhe nga Kuvendi, më 4 tetor 2021. Prioritetet e ERA II, përmes këtij plani të veprimit, do të zbatohen brenda një periudhe dyvjeçare, deri në mesin e vitit 2023”, tha  zv/ kryeministri Bislimi. 

Tutje, zv/ kryeministri, po ashtu bëri të ditur se Plani i Veprimit, ERA II përmban 15 prioritete dhe 341 reforma konkrete (tregues), të shpërndarë si në vijim: shtylla I: qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, e cila përmban 4 prioritete dhe 153 tregues,  shtylla II: konkurrueshmëria, klima e investimeve dhe zhvillimi i qëndrueshëm, e cila përmban 6 prioritete dhe 121 tregues, si dhe shtylla III: punësimi, arsimi dhe shëndetësia, e cila përmban 5 prioritete dhe 67 tregues. 

Pas këtij raportimi, zv/ kryeministri, Bislimi, iu është përgjigjur pyetjeve dhe interesimit të anëtarëve të Komisionit. 

Pas raportimit të zv/ kryeministrit Bislimi, mbledhja ka vijuar me shqyrtimin dhe miratimin e një mori projektligjesh, e të cilat kishin karakterin e marrëveshjeve ndërkombëtare. 

Projektligjet e miratuara me këtë rast, janë: Projektligji për Ratifikimin e “Marrëveshjes Dypalëshe të Bashkëpunimit për Zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut”, Projektligji për Ratifikimin e “Amendamentimit 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2015”, Projektligji për Ratifikimin e “Amendamentimit Nr. 2. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2018“, Projektligji për Ratifikimin e “Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2021“, si dhe Projektligji për ratifikimin e vendimit nr. 1/2022, Të Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Kosovë, për amendamentimin e Marrëveshjes se MSA-së ndërmjet BE-së dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike dhe Kosovës, për të zëvendësuar protokollin III të tij në lidhje me konceptin e “ Produkteve Origjinuese”,  i cili  hyri në rend dite të këtij takimi me propozimin e nënkryetares së Komisionit, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, ndërkaq,  të gjitha këto projektligje i paraqiti dhe arsyetoi zv/kryeministri, Besnik Bislimi.