Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

27.01.2023

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kryesuar nga Ferat Shala, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën të ftuar për raportim ishin anëtarët e Bordit dhe zyrtarët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për të diskutuar lidhur me vendimin e lirimit nga obligimi i rentës minerare të ndërmarrjes “Ferronikeli”. 

Lidhur me këtë çështje u deklaruan anëtarët e Bordit të KPMM-së, të cilët po ashtu duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të këtij komisioni, dhanë arsyetimet e tyre rreth votimit të vendimit të lartëcekur. 

Pas përfundimit të diskutimeve, anëtarët e komisionit vendosën që të rekomandojnë për seancë plenare shkarkimin e anëtarëve të Bordit të KPMM-së, në mënyrë individuale, si dhe anulimin e vendimit mbi lirimin e obligimit të rentës minerare të ndërmarrjes “Ferronikeli”.

Tutje, në vazhdën e mbledhjes së sotme, e ftuara tjetër ishte Fahrie Morina, drejtoreshë e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU), e cila paraqiti planin e performancës për vitin 2023. 

Ndër të tjera, Morina tha se përkundër përpjekjeve maksimale për mirëfunksionimin e ARRU-së, për arsye të ndryshme, përmirësimet po shkojnë me hapa të ngadalshëm. 

Po ashtu, ajo tha se për shkak të paralajmërimeve për rritjen e çmimeve, duhet të rishqyrtohet edhe një herë buxheti për këtë vit.

Gjithashtu, në këtë mbledhje të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës (AKRK), të cilët prezantuan planin e performancës për këtë vit. 

Ndër temat, të cilat u diskutuan ishte edhe çështja e ngritjes së çmimeve, e cila, siç u tha në takim është mjaftë shqetësuese, por e pashmangshme për shkak se i njëjti trend i ka përfshirë edhe shtetet fqinje.

Pas diskutimeve të shumta, në përmbyllje të mbledhjes, anëtarët e komisionit vendosën që të mblidhën më 28.01.2023, në orën 14:00, për të diskutuar lidhur me propozimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente.