Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

26.01.2022

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e parë të sesionit pranveror, në të cilin u shqyrtuan disa projektligje.

 

Komisioni shqyrtoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122, si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 03/L-256.

 

Prezantimin e këtij projektligji e bëri drejtori i zyrës ligjore në Zyrën e Kryeministrit, Mentor Borovci.

 

Ai tha se projektligji në fjalë është në përputhje me rekomandimet dhe standardet e Komisionit të Venedikut dhe se me anë të këtij projektligji adresohen transparenca e financimit të partive politike.

 

Pas prezantimit u hap debati, në të cilin anëtarët e Komisionit shtruan shumë pyetje në lidhje me projektligjin, të cilave iu përgjigjën përfaqësuesit e Zyrës së Kryeministrit.

 

Projektligji mori mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, por që me propozim të deputetit Avdullah Hoti, u vendos që në mes të dy leximeve të formohet një grup punues për trajtimin e raportit të Komisionit të Venedikut.

 

Komisioni për Buxhet shqyrtoi dhe mbështeti raportin me amendamente të komisionit funksional për Projektligjin Nr.08/L-011 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/L-061 për shitjen e Banesave për te cilat ekziston e Drejta Banesore i Komisionit, ndërsa votimi i raportit vjetor të punës së Komisionit për vitin 2021 u shty për në mbledhjen e ardhshme.

 

Mbledhja vijoi me shqyrtimin në parim të dy projektligjeve, atë për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-021 për akcizën në produktet e duhanit, të cilat para deputetëve i prezantoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Pas prezantimit dhe debatit nga ana e anëtarëve të Komisionit, të dy projektligjet morën mbështetjen e shumicës së deputetëve dhe të njëjtit dërgohen për shqyrtim në seancë.