Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

05.10.2022

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja mbajti sot mbledhjen e radhës.

Komisioni miratoi raportin vjetor financiar të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021, ndërsa në vijim shqyrtoi Projektligjin nr.08/L-162 për ratifikimin e marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”. 

Këtë projektligj para anëtarëve të Komisionit e prezantoi ministri i Financave Hekuran Murati, sipas të cilit kjo marrëveshje parasheh një reformë të skemave sociale dhe atyre pensionale. Ministri Murati sqaroi se kjo nuk është kredi për të financuar skemat sociale, por për të reformuar këtë sektor.

Anëtarët e Komisionit shtruan shumë pyetje në lidhje me projektligjin në fjalë dhe kërkuan sqarime nga ministri Murati lidhur me arsyen e marrjes së kësaj kredie. Në anën tjetër ministri i dha arsyetimet pwrkatwse në lidhje me marrëveshjen dhe kërkoi nga deputetët që e njëjta të votohet, pasi që, siç tha ai, ka shumë rëndësi të madhe për Republikën e Kosovës.

Pas shterjes së debatit Projektligji mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Komisionit dhe u dërgua për shqyrtim në seancë. 

Mbështetje unanime nga Komisioni morën tri projektligje që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare e që paraprakisht u prezantuan nga ministri Hekuran Murati.

Projektligji nr.08/L-169 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje të Kosovës në “Fiscalis” Programi i Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e tatimit, Projektligji nr.08/L-170 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje të Kosovës në “Doganat” Programi i Bashkimit Evropian për bashkëpunim në fushën e Doganave, dhe Projektligji nr.08/L-171 për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për Projektin Parku i Inovacionit dhe Trajnimit Prizren (PIT) ndërmjet Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Republikës Federale të Gjermanisë përfaqësuar nga GIZ u dërguan në seancë për votim.

Komisioni u dakordua që shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 dhe shqyrtimi i raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale për vitin 2021 të shtyhen për mbledhjen e ardhshme.