Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e seancës plenare

22.09.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit Glauk Konjufca, vazhdoi sot seancën e 15 shtatorit. Para se të fillojnë punimet e seancës, me propozim të kryetarit Konjufca Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të heronjve të kombit Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, në 24-vjetorin e rënies së tyre. 

Seanca vijoi me debatin parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Deputetë të pozitës dhe opozitës kontribuuan në këtë debat duke dhënë ide të ndryshme se si të gjendet një zgjidhje për grevën.

Në lidhje me këtë çështje foli edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, të cilët thanë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë hapa për zbutjen e krizës, duke prezantuar pakon për përballjen me inflacionin.

Pas debatit disaorësh, në emër të propozuesit deputeti Abelard Tahiri prezantoi një rezolutë me anë të së cilës i kërkohet Qeverisë së Republikës që në afat prej 48 orësh të realizojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së apo persona të autorizuar të BSPK-së për zgjedhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës. 

Në mungesë të kuorumit, seanca e sotme u ndërpre, për të vazhduar nesër prej orës 10:00 me votimin e rezolutës dhe pikat tjera të mbetura.