Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Konjufca pranoi zyrtarisht detyrën nga ish-kryetarja Osmani

22.03.2021

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pranoi edhe zyrtarisht detyrën nga kryetarja e deritanishme, dr. Vjosa Osmani.

Me rastin e marrjes së detyrës së kryetarit, kryetari Konjufca, duke falënderuar ish-kryetaren Osmani për kryerjen e detyrës të kryetarit të Kuvendit, tha se ndihet i nderuar që këtë përgjegjësi po merr nga znj. Osmani.

“Jam i nderuar që po e marr këtë përgjegjësi nga ju znj. Osmani, që keni dhënë shembull të shkëlqyeshëm në politikë, në jetën parlamentare, ku iu ka dhënë mundësia që të kontribuoni për jetën e qytetarëve të Kosovës. Mua më vjen mirë që pas zgjedhjes së Kryesisë  dhe kryetarit të Kuvendit, është hapur rruga e zgjedhjes së institucioneve të reja, e Qeverisë, por edhe me juve si presidente”, tha Konjufca.

Ndërsa kryetarja e deritanishme, Vjosa Osmani, duke e uruar kryetarin Konjufca për detyrën e re, tha se ai do të përfaqësojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe do të sigurohet se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë shtëpi e dytë për qytetarët e Republikës së Kosovës.