Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Konjufca: Kosova dje humbi njërin prej miqve më të mirë të saj

06.12.2021

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, ka vendosur kurorë me lule dhe ka bërë homazhe te busti i senatorit amerikan Bob Dole, i cili ndërroi jetë dje në moshën 98-vjeçare.
 
Kryeparlamnetari Konjufca tha me këtë rast se Kosova dje humbi njërin prej miqve më të mirë që pati, senatorin Bob Dole, i cili, siç tha ai, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës.
 
“Kontributi i tij filloi qysh herët gjatë procesit të shpërbërjes së ish- Jugosllavisë, kur shqiptarët ishin në një gjendje shumë të rëndë dhe ajo për çka kishin më së shumti nevojë ishin miqtë e vërtetë. Dhe atë mik e gjeti në qëndrimet e palëkundshme të senatorit Bob Dole, i cili e ka shtyrë përpara pavarësinë e Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.
 
Kreu i Kuvendit theksoi se në lidhje me këtë kontribut, populli i Kosovës, por edhe populli shqiptar në përgjithësi, senatorit Bob Dole do t’i jetë përjetësisht  falënderues.