Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca takoi delegacione të shteteve anëtare të APKE-së

25.01.2023

Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Strasburg, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, zhvilloi takime me grupe politike dhe delegacione të shteteve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).  

Kështu, kryetari Konjufca takoi Kryesuesin e Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbërit, Frank Schwabe, anëtarë të delegacionit gjerman dhe delegacionin parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar.  

Po ashtu gjatë ditës, kreu i Kuvendit u prit në takime edhe nga Udhëheqësi i Grupit Konservativ Evropian dhe Aleancës Demokratike, Ian Liddell-Grainnger, Kryesuesi i Grupit të të Majtëve Evropianë të Bashkuar (UEL), George Katrougalos, si dhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.  

Në këto takime u diskutua për zhvillimet aktuale në rajon e më gjerë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit. 

Kryetari Glauk Konjufca ritheksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare.  

Mbrëmjen e sontme, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasburg, do të organizohet pritje për Anëtarët e APKE-së dhe Përfaqësuesit e Përhershëm, përkatësisht Ambasadorët në Këshillin e Evropës.