Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryekuvendari Konjufca: Jemi një komb dhe të tillë duhet ta kemi edhe politikën dhe artikulimin e interesave tona

07.06.2021

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka filluar vizitën zyrtare në Shqipëri, të parën jashtë vendit në cilësi të kryetarit të Kuvendit. 

Kryekuvendari Konjufca është pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, me të cilin ka biseduar për shkëmbimin e përvojave dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Konjufca falënderoi institucionet e Republikës së Shqipërisë për kontributin e jashtëzakonshëm në përballje me pandeminë Covid 19, duke ofruar vaksinim për stafin shëndetësor të Republikës së Kosovës, si dhe për ndihmat tjera të jashtëzakonshme në këtë fushë. 

Në këtë takim të ngrohtë e vëllazëror, dominoi pajtueshmëria e plotë dhe vullneti i dyanshëm për dinamizimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, harmonizimin e agjendave me interes mbarëkombëtar, bashkërendimin dhe unifikimin e hapave gjatë proceseve integruese rajonale dhe euro-atlantike të dy shteteve tona. 

Kryetari Konjufca tha se edhe pse numri i memorandumeve dhe i marrëveshjeve që Republika e Kosovës i ka nënshkruar me Republikën e Shqipërisë, arrijnë diku te 140, prapë se prapë hapësira për thellimin e bashkëpunimit është shumë më e madhe.

Ai shtoi se meqenëse deri tani Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim vetëm të nivelit të fqinjëve të mirë, bashkëpunimi, sipas tij, duhet të ngritët në një nivel tjetër, e që është bashkëpunimi midis dy vendeve të cilat përbëjnë të njëjtin komb.  

“Ne kemi interesa të përbashkëta dhe të njëjta, meqenëse jemi një komb. Pra populli shqiptar i Kosovës dhe populli shqiptar i Shqipërisë janë një komb, e të tillë duhet ta kemi edhe politikën dhe artikulimin e interesave tona të përbashkëta. Mbetemi të përkushtuar që kufirin e padrejtë mes nesh ta bëjmë jo vetëm sa më të padukshëm, por edhe inekzistent në një të ardhme”, theksoi kryekuvendari Konjufca. 

I pari i legjislativit theksoi nevojën e koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve me Republikën e Shqipërisë, sidomos në procese të rëndësishme, siç është ai i dialogut me Serbinë dhe procesit gjyqësor të pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë. 

Konjufca tha se nga dialogu me Serbinë Kosova nuk guxon të dalë e dëmtuar.  

“Na duhet një koordinim shumë i thellë e i ngushtë me Republikën e Shqipërisë, ashtu që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje e tillë, e për Republikën e Kosovës, dëm, ashtu siç e kemi definuar ne dhe institucionet tona, do të ishte krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Republikës së Kosovës që do të kontrollohej nga Beogradi. Kjo nuk bën assesi të ndodhë dhe kjo është beteja jonë e përbashkët”, theksoi kryekuvendari Konjufca. 

Edhe sa i përket procesit gjyqësor të ish-pjesëtarëve dhe krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Hagë, kryekuvendari Konjufca tha se nevojitet bashkërendim me Republikën e Shqipërisë, ngase, siç tha ai, lufta e UÇK-së nuk ka qenë vetëm e Kosovës. 

“Lufta jonë e shenjtë, e drejtë dhe pastër e UÇK-së ka qenë e gjithë kombit shqiptar dhe si e tillë duhet të trajtohet dhe të mbrohet”, theksoi kryekuvendari Konjufca. 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, duke i uruar mirëseardhje kryekuvendarit Konjufca në Shqipëri, theksoi përkushtimin e shtetit shqiptar për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën në të gjitha fushat, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin e politikës së jashtme. 

Ai vuri theksin po ashtu te dialogu me Serbinë dhe procesin gjyqësor në Hagë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. 

Kryekuvendari Konjufca, me këtë rast, ftoi kreun e Kuvendit të Shqipërisë, z.Ruçi, për vizitë në Kosovë.