Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për të Drejtat e Njeriut... takoi një grup studentësh nga Vjena dhe Venediku

17.09.2021

Sot, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, mbajtën takim me studentë të Programit “The Europian Master’s Degree in Human Rights and Democratization EMA“, me seli në Vjenë dhe në Venedik. 

Duke iu uruar mirëseardhje në Kosovë, nënkryetarja e Kuvendit njëkohësisht anëtare e komisionit, Saranda Bogujevci, së bashku me kryetaren e komisionit, deputeten Duda Balje, shpalosën fushwveprimin e këtij komisioni, duke iu dhënë prioritet çështjeve më të rëndësishme që trajtohen në të, përfshirë këtu fokusin në të drejtat e njeriut dhe iniciativat që adresojnë shqetësimet dhe problematikat që bien përsipër këtij komisioni. 

Po ashtu, nuk u lanë pa u përmendur edhe sfidat dhe vështirësitë me tw cilat ky komision ballafaqohet gjatë shtyrjes përpara të objektivave të tij. 

Pas disa pyetjeve të përgjithshme që studentët parashtruan lidhur me të drejtat e njeriut, theks i veçantë i diskutimit u bë çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale dhe praktikat që shteti kosovar po ndërmerr lidhur me të.

Si rrjedhojë anëtarët e komisionit treguan që përpjekjet e Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile janë të vazhdueshme, por që ende ka shumë punë për tu bërë, sidomos sa i përket rrëfimit të përjetimeve nga lufta, fuqizimit ekonomik të të mbijetuarve dhe ofrimit të shërbimeve psiko-sociale që adresojnë nevojat e shëndetit mendor të këtyre personave.

Anëtarët e komisionit po ashtu treguan gatishmëri të plotë për bashkëpunimin substancial vendor dhe ndërkombëtar për çështjen në fjalë dhe shprehën rëndësinë e nevojës së menjëhershme për krijimin e një gjykate të veçantë që gjykon krimet e luftës dhe profilizimin e prokurorëve që merren ekskluzivisht vetëm me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Takimi u përmbyll duke shprehur mirënjohje dhe falënderime reciproke për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të përbashkëta lidhur me çështjet e trajtuara gjatë diskutimit.