Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman Friedrich Ebert (FES) dhe Heinrich Boll Stiftung, mbajti tryezë, në të cilën u prezantua
studimi “Luhatja e Çmimeve të Produkteve Bujqësore dhe Shportës Bazë në Dekadën e Fundit: Masat për përballimin e inflacionit në rrethana të pasigurta ekonomike”.
Qëllimi i studimit, i realizuar nga eksperti Egzon Bajrami, ishte hapja e debatit publik mbi politikëbërjen ekonomike bujqësore dhe rekomandimet e politikave të orientuara drejt sektorit me potencial punësimi të lartë, produktiviteti dhe eksporti.
Kryetarja Fitore Pacolli Dalipi, tha se komisioni ka filluar të bëjë një cikël studimesh që kanë të bëjnë me bujqësinë dhe sigurinë ushqimore, të cilat do të përdoren për të përmirësuar bazën ligjore e për të draftuar politika për siguri ushqimore dhe bujqësi të qëndrueshme e zhvillimore.
Kryetarja Pacolli Dalipi, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, u zotuan të shtyjnë përpara politikat të cilat do të sigurojnë zhvillimin e mirëfilltë e të qëndrueshëm të bujqësisë.
Përfaqësues të shoqatave të ndryshme në fushën e bujqësisë e të organizatave të shoqërisë civile, paraqitën kërkesat e tyre lidhur me temën në trajtim, ndërsa ligjvënësit dhe ministri Peci theksuan se mendimet e paraqitura do të merren parasysh.