Kuvendi i Republikës së Kosovës

Grupi i Miqësisë me Kroacinë dhe Komisioni për Ekonomi pritën në takim një delegacion parlamentar nga Kroacia

26.01.2023

Grupi i Miqësisë Kosovë – Kroaci në Kuvendin e Kosovës, së bashku me Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, priti sot në takim Grupin e Miqësisë me Kosovën të Parlamentit të Kroacisë.

Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, u diskutua për bashkëpunimin që të dy parlamentet kanë sendërtuar midis tyre ndër vite, me mundësinë për ta zgjeruar atë më tej në të gjitha nivelet e jetës parlamentare.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala dhe kryetari i Grupit të Miqësisë me Kroacinë, Arbër Rexha, shprehën gatishmërinë dhe interesimin për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet dy palëshe, në fusha të ndryshme të interesit reciprok.

Ata vlerësuan lart mbështetjen kroate për Kosovën në të gjitha fazat, duke theksuar rëndësinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Nga pala mysafire, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Zarko Tusek, duke e konsideruar Kosovën aleat dhe shtet mik të Kroacisë, tha se mbështetja e Zagrebit zyrtar për Kosovën në procesin e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, është interes strategjik për shtetin e tij.

Edhe kryetari i Grupit të Miqësisë, Ante Bacic, vuri në pah gatishmërinë për të ofruar përvojën dhe mbështetjen e Kroacisë në aspiratat euro-atlantike të shtetit të Kosovës.

Në këtë takim me diskutimet e tyre kontribuuan edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Kroacisë.

Të dy palët u pajtuan për të gjetur rrugë të reja për avancimin e bashkëpunimit në sferën politike, ekonomike, prodhimtari, punësime sezonale, siguri, arsim dhe shëndetësi.