Nga punimet e mbledhjes plenare

13.02.2020

Nën tingujt e këngës së këngëtares së njohur, Nexhmije Pagarusha, në shenjë kujtimi dhe nderimi për veprën e saj artistike, Kuvendi i Republikës së Kosovës filloi mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Në mbledhjen e thirrur për sot, Kuvendi në rend dite kishte propozim-vendimin për formimin e komisioneve parlamentare.

 

Pasi mbledhja filloi punimet, fjalën e mori kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili kërkoi shmangie nga rregullorja, në mënyrë që në rend dite të futet ndarja e mjeteve buxhetore edhe për muajin mars.

 

“Kërkoi një mocion procedural për shqyrtimin e projekt vendimit të qeverisë për zgjatjen buxhetore për muajin mars 2020. E dimë që për miratimin e këtij propozim vendimi kërkohet votimi për shmangie në afatet procedurale të parapara me nenin 15 paragrafi shtatë dhe neni 56 të rregullores së punës së Kuvendit. Për shqyrtimin e këtij vendimi kërkohet pra deklarimi me votim për shmangie nga afatet procedurale të parapara me rregullore”, tha ai.

 

Fjalën e morën kryetarët e grupeve parlamentare, të cilët i dhanë mbështetje futjes së kësaj pike në rend dite.

 

Pas deklarimeve të deputeteve, në foltore doli ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, i cili paraqiti kërkesën për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars të këtij viti.

 

“Paraqes kërkesën dhe rekomandimin për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars të vitit 2020 në mënyrë që të sigurojmë vazhdimësinë e kryerjes së obligimeve deri në miratimin e ligjit të buxhetit për këtë vit”, theksoi Bislimi.

 

Kërkesa e opozitës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars, mori mbështetjen e 100 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

 

Kryetari i GP të PDK-së, Bedri Hamza, tërhoqi vërejtjen lidhur me mos futjen e deklarimeve jashtë rendit të ditës, si pikë në rendin e ditsës së seancës së sotme.

 

Ndërkaq, kryetarja Osmani bëri të ditur se kjo pikë nuk është paraparë në mbledhjen e mbajtur nga Kryesia.

 

Po ashtu, gjatë mbledhjes është zhvilluar polemikë ndërmjet deputetëve të opozitës dhe pozitës lidhur me kohën e thirrjes së seancës së fundit të jashtëzakonshme të Kuvendit. 

 

Mbledhja e Kuvendit vazhdoi me shqyrtimin e propozim vendimit për ndarjen e komisioneve parlamentare.

 

Kryeparlamentarja Osmani bëri të ditur së në bazë të këtij propozim vendimi, numri i komisioneve parlamentare zvogëlohet nga 16 në 14.

 

Për këtë pikë u zhvillua një diskutim më i gjerë midis deputetëve nga grupet parlamentare në pozitë dhe atyre në pozitë.

 

Pas hedhjes në votim, në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, kryetarja Osmani thirri mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

 

Pas qëndrimit unik nga mbledhja e Kryesisë, Kuvendi miratoi propozim vendimin për themelimin dhe funksionimin e 14 komisioneve parlamentare, si dhe vlefshmërinë e rregullores së punës së Kuvendit të viti 2010, edhe për Legjislaturën VII, me përjashtim të nenit 69 pika 4.