Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike

28.05.2020

Sot, Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, kryesuar nga Endrit Shala, kryetar, mbajti takimin e radhës duke proceduar me pikat e rendit të ditës të parapara për diskutim.

 

Pasi që në takimet e kalura u diskutua gjerësisht rreth Raportit Vjetor të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë -  ZRRE, për vitin 2019, anëtarët e komisionit, me shumicë votash miratuan raportin në fjalë.

 

Po ashtu, njëzëri u votua pro edhe lidhur me shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, duke ndjekur kriteret e parapara me ligjin që rregullon këtë çështje.

 

Kryetari i komisionit, theksoi se pas shqyrtimit të konkursit nga grupi punues i përbërë nga deputetët e po këtij komisioni, konkursi në fjalë mund të shpallet, por vendimit të tij t’i bashkangjitet teksti i konkursit i miratur nga komisioni dhe si i tillë të hyjë në fuqi ditën që do të nënshkruhet.

 

Në po të njëjtin takim, u prit edhe bordi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës – AKK, i cili, para anëtarëve të komisionit shpalosi raportin vjetor për vitin 2019, duke potencuar kështu të arriturat kryesore të këtij autoriteti për periudhën një vjeçare.

 

Ndër të tjerash, Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, duke iu referuar këtij raporti, punën e AKK-së e vlerësoi lart, duke theksuar kështu angazhimin e vazhdueshëm të këtij autoriteti për avokim drejt ngritjes së vetëdijes qytetare në fushën e konkurrencës, nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimi me palë të tjera si dhe dhënien e rekomandimeve me karakter profesional për institucionet publike dhe ato private.

 

Rreth këtij raporti, anëtarët e komisionit kishin bërë shqyrtim të detajuar paraprakisht, ndërsa para bordit të AKK-së adresuan një sërë pyetjesh të lidhura drejtpërdrejt me të dhënat e paraqitura në të. Po ashtu, propozuan edhe disa rekomandime për ndërhyrje shtesë në raportin e paraqitur, veçanërisht, ndërhyrje tek modifikimi i titullit të raportit dhe vendosja e tabelave krahasuese për punën e AKK-së ndër vite, në mënyrë që të ketë sa më shumë vizibilitet për publikun.

 

Bordi i AKK-së u dakordua që t’i adresojë të gjitha rekomandimet e marra nga anëtarët e komisionit për ndërhyrje në raport. Kështu, duke miratuar me shumicë votash raportin në fjalë, kryetari i komisionit së bashku me anëtarët e tjerë të komsionit, përmbyllën mbledhjen e kësaj dite.