Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi mbajti seancë të jashtëzakonshme

05.01.2021

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit, është mbledhur sonte në seancë të jashtëzakonshme, për të shqyrtuar Propozim-Vendimin e Qeverisë për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

 

Pas vendimit të Kuvendit për shmangie nga afatet procedurale për shqyrtimin e kësaj pike, propozim-vendimin para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi kryeministri Avdullah Hoti, duke e konsideruar atë konfirmim të besimit që kanë aleatët ndaj Kosovës dhe të orientimit euro-atlantik të saj.

 

Kryeministri Hoti tha se me këtë vendim Kosova merr përgjegjësinë për paqen globale në botë. Ai tha se përtej simbolikës, misioni i parë i pjesëtarëve të FSK-së është i rëndësishëm sepse bëhet në bashkëpunim të plotë me Gardën e Ajovës që ka dhënë mbështetje të madhe për Kosovën.

 

“Populli i Kosovës si pak popuj në botë e kupton rëndësinë e misioneve paqeruajtëse. Me këtë vendim ne sot renditemi krah partnerëve tanë për të siguruar paqen në botë”, theksoi kryeministri Hoti.

 

Fatmire Mulhaxha Kollçaku, në emër të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, paraqiti rekomandimin për miratimin e këtij propozim-vendimi.

 

Seanca vijoi punimet me diskutimet e përfaqësuesve të grupeve parlamentare. Në emër të GP të VV-së, deputeti Liburn Aliu i dha mbështetje propozim-vendimit, duke adresuar njëkohësisht kritika ndaj qeverisë, për sjelljen e këtij propozimi dhe thirrjen e kësaj seance në momentet e fundit.

 

Kryetari i GP të LDK-së, Arben Gashi, ditën e sotme e konsideroi të veçantë, ndërsa propozim-vendimit të qeverisë, për të dërguar trupa ushtarake në misione paqeruajtëse jashtë vendit, i dha mbështetje të parezervë.

 

Duke folur në emër të GP të PDK-së, deputetja Ganimete Musliu shtroi një varg pyetjesh lidhur me vendimin, siç tha ajo, të vonuar të qeverisë përkitazi me këtë çështje të rëndësishme, ndërsa konfirmoi mbështetjen e grupit parlamentar që përfaqëson.

 

Kryetari i GP të AAK-së, Daut Haradinaj, vlerësoi lart mundësinë që trupat ushtarake të Kosovës do të jenë përkrah pjesëtarëve të ushtrive partnere dhe më të fuqishme në botë, duke konfirmuar gjithashtu mbështetjen e grupit të tij parlamentar.

 

Po ashtu, votat e GP Nisma-AKR-6+, i konfirmoi edhe kryetari i këtij grupi, Endrit Shala, duke shtuar se ndihet i emocionuar por edhe krenar.

 

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, falënderoj të gjithë ata që, siç tha ai, po kontribuojnë në forcimin e partneritetit me SHBA-të, ndërsa dha edhe një sërë sqarimesh në çështje të ngritura nga deputetët.

 

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, tha se ky votim është i natyrës historike, por gjithashtu, siç tha ajo, është edhe krenari e dyfishtë, së pari me djemtë dhe vajzat e FSK-së, të cilët kanë arritur këtu si rezultat i shumë brezave, por gjithashtu është edhe krenari, për shkak se kjo arritje po bëhet së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

“Jam vërtet e lumtur që si Kuvend i Republikës së Kosovës po e përmbyllim këtë legjislaturë me një vendim të tillë dhe po ashtu jam e bindur se ky është vetëm fillimi për sukseset e ushtrisë sonë”, theksoi kryetarja Osmani.

 

Pas shterjes së diskutimeve, Kuvendi hyri në procedurën e votimit.

 

Kështu, me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi dërgimin kontingjentit të FSK-së jashtë vendit, me mision ofrimin e mbështetjes për stabilitet rajonal dhe operacione paqeruajtëse, në regjionin e komandës qendrore amerikane. Vendimi i dërgohet U. D. Presidentes së Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit final për dërgimin e kontingjentit të FSK-së.

 

Në përmbyllje të seancës, kryetarja Osmani, në emër të të gjithë deputetëve u uroi shërbim të shpejtë të gjithë të lënduarve nga shpërthimi i sotëm në Ferizaj.