Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga seanca plenare e Kuvendit

09.07.2020

Kuvendi i Republikës së Kosovës, i drejtuar nga dr. Vjosa Osmani, kryetare, është mbledhur sot në seancë të rregullt plenare, duke proceduar me pikat e rendit të ditës të parapara për këtë seancë.

 
Fillimisht, deputetët adresuan çështje të ndryshme në pikën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, ndërsa pyetjeve të tyre, të orientuara kryesisht kah menaxhimi i pandemisë COVID-19, iu përgjigjën Kryeministri Avdulla Hoti dhe dy anëtarë të kabinetit të tij qeveritar, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj.

 

Seanca vazhdoi punimet me propozimin e kryetares Osmani për plotësim të rendit të ditës edhe me dy pika të propozuara nga ajo, propozim-rezolutën lidhur me shkarkimin e anëtarëve të qeverisë të cilët nuk respektojnë karakterin unitar të Republikës së Kosovës, si dhe nismën legjislative për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

 

Po ashtu, një propozim për rend dite erdhi nga deputetja Mirlinda Sopi, e cila propozoi që pikave të rendit të ditës t’i edhe shqyrtimi i draft-rezolutës për unitetin politik dhe qytetarë në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës.

 

Dy propozimet e para nuk arritën të hyjnë si pika shtesë të rendit të ditës, pasi që nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave nga deputetët, ndërsa propozimi i tretë, me 82 vota pro, kaloi për shqyrtim nga grupet parlamentare.

 

Deputetja Sopi, si propozuese e kësaj rezolute, duke theksuar rëndësinë e miratimit të saj, ftoi deputetët që ta mbështesin si të tillë.

 

Kështu, grupi parlamentar i LDK-së, pasuar nga ai i AAK-së, shprehën qëndrimet e tyre pro miratimit të kësaj rezolute, e cila, sipas tyre, mbron interesat kombëtare.

 

Po ashtu, edhe grupi parlamentar i PDK-së i dha mbështetje rezolutës në fjalë, duke vlerësuar se kërkimi i unitetit për çështje që e kalojnë interesin politik në Kosovë, por që lidhen me çështje të rëndësisë shtetërore dhe kombëtare, gjithmonë duhet të shihet si çështje me prioritet.

 

Në anën tjetër nga grupi parlamentar LVV-së, sjellja e kësaj rezolute në Kuvendin e Kosovës u vlerësua ironike, pasi që, sipas tyre, ishin disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës vet ata që në vitin 2015 përkrahën gjykatën speciale, duke e ditur që shteti serb ka kryer spastrim etnik.

 

Por, sipas tyre, ata do ta përkrahnin rezolutën vetëm nëse propozuesi i saj pajtohet që të ketë ndërhyrje përmbajtësore në të.

 

Pas shterjes së debatit, rezoluta u hodh në votim dhe me 61 vota pro, mori besimin e Kuvendit të Kosovës.

 

Gjatë kësaj seance plenare, kryetarja e Kuvendit njoftoi edhe për shpërbërjen e grupit parlamentar NISMA, pasi që deputeti Haxhi Shala tashmë është bërë pjesë e grupit parlamentar të AAK-së.

 

Seanca vazhdoi me pikën e radhës të rendit të ditës, ku kryetari i komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati lexoi raportin e komisionit të cilin drejton, lidhur me rekomandimin për përzgjedhjen e një kandidati për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

 

Pas shqyrtimit të propozimeve të panelit, komisioni me shumicë votash vendosi t’i rekomandojë Kuvendit listën me gjashtë kandidatët potencialë për këtë pozitë (njëri nga ta është tërhequr vullnetarisht), duke i lënë hapësirë kështu Kuvendit, të përzgjedh njërin nga pesë kandidatët, përzgjedhje e cila pastaj do t’i dërgohet Presidentit të vendit për emërim.

 

As pas dy raundesh votimi të fshehtë, asnjëri nga kandidatët nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë funksion. Rrjedhimisht, kryetarja e Kuvendit konstatoi se procedura e rekrutimit duhet të kthehet në pikën zero.

 

Seanca ndërpreu punimet për sonte, me njoftimin për vazhdimin e saj nesër në orën 11:00, me pikat e mbetura, përfshirë edhe shqyrtimin e parë të Projektligjit nr.07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, si pikë shtesë.