Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

03.02.2020

Me 66 vota për, u zgjodh qeveria e re e Republikës së Kosovës, me kryeministër Albin Kurtin

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, zgjodhi qeverinë e re të Republikës së Kosovës, me kryeministër Albin Kurtin.

 

Zgjedhja e qeverisë ishte edhe pikë e vetme e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje, të cilën fillimisht e drejtoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

 

Mbledhja filloi me përshëndetjet e kryeparlamentarit Konjufca për ambasadorët dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të pranishëm në sallë, si dhe përfaqësuesit fetarë, kryetarët e komunave dhe të pranishmit tjerë.

 

Në vazhdim, Konjufca sqaroi se të pranishëm në mbledhjen plenare janë 103 deputetë dhe se janë përmbushur kushtet për mbajtjen e kësaj seance. Ndërsa, në vijim kërkoi nga deputetët të cilët kanë munguar në seancën konstituive të 26 dhjetorit, që të bëjnë sot betimin e tyre të deputetit.

 

Nëntë deputetët: Uran Ismaili, Abelard Tahiri, Pal Lekaj, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala dhe Kujtim Gashi, u ngritën në këmbë dhe dhanë betimin e tyre, ndërkaq tekstin e deklaratës së betimit e lexoi kryeparlamentari Konjufca.

 

Tutje, Konjufca njoftoi deputetët se Kryesia e Kuvendit, më 31 janar, pas kërkesës së z. Albin Kurtit, kandidat për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, ka vendosur që seanca të mbahet më 3 shkurt, sipas kësaj kërkese, me rend dite, zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

Ai shtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me dekretin 05 2020, të datës 20 janar të këtij viti, i ka propozuar Kuvendit, Albin Kurtin, kandidat për kryeministër, për ta formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

 

Konjufca pasi ftoi kandidatin e propozuar për kryeministër, që të paraqesë përbërjen e qeverisë për miratim, kryesimin e seancës ia kaloi nënkryetares së Kuvendit, Arbërie Nagavci.

 

Në vijim, kandidati i propozuar për kryeministër Albin Kurti, prezantoi fillimisht programin qeverisës, duke sqaruar se programi i plotë do të publikohet edhe në faqen zyrtare. Kurti vlerësoi se ky program qeverisës adreson secilën fushë dhe prek secilin qytetar, ndërkaq tha mes tjerash se do të jetë qeveri e kursimit të parasë publike dhe se do të evitohen shpenzimet e luksit publik. Kurti po ashtu tha se do të jenë 15 ministra, e jo 21 sa ishin më herët, duke shtuar se do depolitizohen agjencionet dhe ndërmarrjet publike.

 

“Do të jemi qeveri e zhvillimit ekonomik dhe punësimit, për të shmangur dëbimin masiv. Do të mbështesim zhvillimin e ndërmarrësisë, me fokus ndihmën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të heqim monopolet dhe evazionin fiskal. Do të jemi qeveri për mbrojtjen e punëtorit dhe për punëtorët më shumë të drejta dhe mbrojtje ligjore të garantuara. Do të ndalojmë korrupsionin, do të jemi qeveri e arsimit”, theksoi Kurti, duke shtuar se është i gatshëm po ashtu që të udhëheqë edhe bisedimet me Serbinë.

 

“Jam i gatshëm që dialogun me Serbinë ta udhëheq me një ekip profesional”, tha ai.

 

Në vazhdim, Kurti tha se buxheti i shtetit gjatë qeverisjes së tij do të arrijë rreth 3 miliardë euro dhe se do te kenë një program nacional të kursimit katërvjeçar.

 

Pasi përmendi edhe një sërë fushash të tjera në të cilat janë të përqendruar për të përmirësuar gjendjen në vend, tha: “Do të jemi qeveri për rend, ligj, siguri e paqe. Drejtësia jonë duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme. Do ta luftojmë korrupsionin në institucione dhe do të krijojmë vetting në drejtësi”.

 

Krejtësisht në fund, gjatë përmbylljes së fjalës së tij, Kurti, dukë kërkuar nga deputetët mbështetje, tha se “ata që më kanë dashur si opozitar e kanë shansin të më duan si qeveritar, ata që nuk më kanë dashur si opozitar, e kanë shansin të ma përfundojnë karrierën”.

 

Mbledhja e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë, vazhdoi me kryesimin e seancës nga nënkryetarja Nagavci, duke vazhduar me qëndrimet e grupeve parlamentare.

 

Fatmire Kollqaku (VV), e konsideroi këtë seancë si një ngjarje historike për Kosovën pas pavarësisë, ngase, sipas saj, për herë të parë opozita ka fituar dhe ky është vullneti i qytetarëve të Kosovës.

 

“Porosia e qytetarëve sot po vjen në vend”, tha ajo, duke e quajtur qeverinë e re, si qeveri të prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik, ndërkaq ftoi deputetët ta votojnë këtë qeveri, meqë, siç tha ajo, është mundësia për të bërë ndryshimin.

 

Arben Gashi, (LDK), tha se po fillojnë një epokë të re, një proces të ri, si rezultat i një bashkëpunimi, jo i zakonshëm, mes një partie të djathtë dhe atë të majtë. Ai shtoi se kanë një program qeveritar të koordinuar, i hartuar bashkërisht me Vetëvendosjen, dhe se ndarja e përgjegjësisë sipas tij, nuk ishte i lehtë.

 

“Jemi para jush me një program të koordinuar, më një listë ministrash të mirë dhe kërkojmë besimin e juaj dhe votën pro, për qeverinë e re”.

 

Bedri Hamza (PDK), fillimisht shprehu kritika për programin e qeverisë, të cilin, sipas tij, nuk e kanë deputetët. Ai tha se pas diskutimeve të deputetëve të tjerë të PDK-së, kjoj parti do ta ketë qëndrimin se si do të votojë.

 

“Premtimet që u dhanë, nuk ka ekonomist në këtë sallë dhe brenda saj, që mund t’i akomodojë në buxhetin 3 miliardësh. Nëse del një ekonomist që mund t’i bëjë këto premtime brenda buxhetit 3 miliardësh, atëherë unë do t’ia bëj shumë pyetje vetes”, tha Hamza.

 

Teuta Haxhiu (AAK), fillimisht kërkoi sqarime nëse ka dhënë dorëheqje ose jo kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca. Pasi dha një sërë kritikash për takimet Kurti-Mustafa, tha se dy protagonistët e kësaj loje, që zgjatën me muaj të tërë, kjo qeveri do të ketë javët e shkurtra.

 

“Ne jemi të sigurtë se këto pazare e lojëra nuk do të kenë rezultatin e kërkuar dhe se populli do të bindet shpejt për Kurtin, i cilido të sjell zhgënjim të qytetarëve”, theksoi Haxhiu. Ajo mes tjerash kërkoi që vendimi i qeverisë për taksën për mallrat serbe të mos preket.

 

Haxhi Shala (Nisma), tha se Kosovën e presin sfida dhe se kjo qeveri edhe pse është vonuar është e mirëseardhur.

 

“Nuk jam i habitur se mandatari për kryeministër ndryshe ka thënë, ndryshe ka vepruar”, tha Haxhiu duke shtruar një mori pyetjesh për kandidatin e propozuar për kryeministër.

 

“A do të vazhdosh të takohesh me zyrtarë serbë për kafe? Çfarë do të bësh me demarkacionin? Ku mbetën vijat e kuqe me Listën Serbe? Çfarë do të bësh me taksën, Gjykatën Speciale”, kërkoi përgjigje nga i mandatuari Kurti , deputeti Shala, duke konsideruar se kjo qeveri do të jetë qeveri afatshkurtër.

 

“Ne do të luajmë rolin kontruktiv për të mirën e vendit dhe do të kërkojmë përherë llogari nga ju”, tha Shala.

 

Ndërsa, Albert Kinolli (6+) tha se duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u jep komuniteteve pakicë të drejten për të qenë pjesë e qeverisë, edhe kësaj radhe grupi parlamentar 6 + do të jetë pjesë e ekzekutivit në ardhje dhe se do ta përkrahin këtë qeveri.

 

Pas qëndrimeve të grupeve parlamentare, Kurti paraqiti edhe përbërjen e kabinetit qeveritar: zv/kryeministër i parë, Avdullah Hoti, zv/kryeministër i dytë, Haki Abazi, ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ministër i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ministër i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ministre e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministër i Mbrojtjes, Anton Quni, ministër i  Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilia Rexhepi, ministër  për Komunitete dhe Kthim, Dalivor Jevtiq dhe ministër i Zhvillimit rajonal, Ivan Millojeviq.

 

“Unë do të jem kryeministër që respektoj parlamentin dhe opozitën. Ndaj opozitës do të sillem me respekt dhe jo me arrogancë. Asnjërin nuk do ta fyej. Pa opozitë, pushteti humb kuptimin, pa opozitë kritika humb aktualitetin. Vendimet e qeverisë përherë do t’i nënshtrohen llogaridhënies e parlamentit”, tha Kurti, duke përfunduar se ai do të jetë kryeministër që respekton dhe qeverisë mbi bazën e vullnetit të qytetarëve.

 

Seanca vazhdoi me diskutimet e deputetëve kryesisht nga radhët e opozitës, të cilët drejtuan kritika të shumta në adresë të të mandatuarit për kryeministër dhe përbërjes së qeverisë në ardhje.

 

Pas shterjes së debatit dhe pak qaste para votimit, deputetët e partive opozitare lëshuan sallën.

 

Në vazhdim, kryesuesja e seancës, nënkryetarja Nagavci, procedoi me votimin e kabinetit qeveritar.

 

Me 66 vota për, 10 abstenim dhe asnjë kundër, Kuvendi zgjodhi Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, me kryeministër Albin Kurtin.

 

Paraprakisht, dy anëtarët e kabinetit qeveritar nga radhët e komunitetit serb, morën besimin e 10 deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvend.

 

Pas zgjedhjes, kryeministri Kurti mbajti një fjalë rasti, duke shtuar se tashmë ka filluar rruga e ndryshimit, të cilën, siç u shpreh ai, të gjithë e kanë dëshiruar.

 

“Unë do të jem kryeministër i të gjithë juve dhe do të dëgjoj zërin tuaj, sidomos kur nuk pajtohemi. Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme për të sjellë ndryshimin që të gjithë e kemi dëshiruar”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.