Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

24.03.2020

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, vendosi që, në bazë të kërkesës së 44 deputetëve, Kuvendi të mblidhet në seancë plenare nesër në orën 11:00, për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së.

 

Këtij vendimi i parapriu një debat i gjerë midis anëtarëve të Kryesisë e kryetarëve të grupeve parlamentare, lidhur me kushtet që posedon Kuvendi i Kosovës për mbajtjen e një seance të tillë, në rrethana të ndërmarrjes së masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

 

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, i bëri të njohura rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bazë të të cilave, ndër të tjera, rekomandohet mbajtja e distancës së paku dy metr​a midis personave.

 

Ajo vlerësoi se në bazë të matjeve, salla e mbledhjeve plenare të Kuvendit, në tërë hapësirën e saj, nuk u plotëson në tërësi këto kushte, prandaj shprehu qëndrimin kundër mbajtjes së një seance të tillë në këto rrethana.

 

Nënkryetarë dhe përfaqësues nga grupet parlamentare në opozitë dhe nga grupi i LDK-së, vlerësuan se kërkesa për seancë e 44 deputetëve, është kushtetuese, prandaj, sipas tyre, seanca duhet të mbahet më së largu nesër. 

 

Ndërkaq lidhur me rekomandimet e IKSHPK-së, ata propozuan shfrytëzimin nga ana e deputetëve të të gjithë hapësirës në sallë plenare, përfshirë dhe lozhat, për të rritur kështu distancën midis tyre.

 

Ndërkaq, ishte kërkesë e kryetarit të GP të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që për deputetët e këtij grupi të sigurohet distancë prej dy metrash, konform rekomandimeve të IKSHPK-së.

 

Pas shterjes së diskutimeve dhe mbi këto propozime, me katër vota për dhe dy kundër, Kryesia vendosi që seanca plenare të mbahet të mërkurën, sipas kërkesës së 44 deputetëve.