Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

27.05.2020

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka mbajtur mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Albena Reshitaj, kryetare.
Në këtë mbledhje, anëtarët e këtij komisioni, kanë diskutuar për raportin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Lidhur me këtë raport, kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj, tha se janë ngritur dyshime lidhur me keqpërdorimin e parasë publike gjatë tenderimit të emergjencave në Ministrinë e Shëndetësisë. Prandaj, ajo sugjeroi që ky komision të dal me një qëndrim për të ndihmuar zbardhjen e të gjitha dyshimeve.
Anëtarët e këtij komisioni, pas paraqitjes së opinioneve të tyre lidhur me këtë raport, me nëntë vota për, dhe një abstenim, u pajtuan që ta procedojnë në prokurori, me pretendimin se gjatë kohës së pandemisë Covid-19, në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë tenderimit të emergjencave, ka pasur fryrje të çmimeve, favorizime në tenderë, konflikt interesi etj.