Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

29.05.2020

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike kryesuar nga Bedri Hamza, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen në të cilën është shqyrtuar raporti vjetor i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike Bedri  Hamza ka thënë se zyra e Auditimit gjatë vitit 2019 ka pasur rritje të auditimit dhe të performancës.

Ndërsa raportin vjetor para anëtarëve të komisionit e ka prezantuar auditori i përgjithshëm Besnik Osmani.

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani ka thënë se në vitin 2016 ka filluar edhe auditimi i ndërmarrjeve publike.

“Auditimi i ndërmarrjeve publike ka filluar nga vitit 2016. Plani ynë është realizuar komplet dhe Kuvendi ka pasur në dispozicion të gjitha kërkesat që burojnë. Trendi i rritjes së auditimeve tregon edhe rritjen e kapaciteteve brenda zyrës së auditimit”, tha Osmani, duke treguar edhe se ZKA është anëtarësuar në organizatën botërore të Auditimti dhe që nga janari i vitit 2021 do të jetë aktiv.

Osmani është përgjigjur edhe në pyetjet e deputetëve të cilët janë interesuar për kapacitetet e Auditorit për të audituar të gjitha ndërmarrjet publike e po ashtu edhe për numrin e auditorëve në këtë institucion.

Në fund me shumicë votash Komisioni ka aprovuar raportin vjetor të performancës së ZKA për vitin 2019 dhe i njëjti është proceduar për në seancë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.