Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Transfere

27.05.2020

Komisioni për Buxhet dhe Transfere, kryesuar nga Hekuran Murati, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës.
Komisioni ka shqyrtuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës(FKPK), për miratimin e taksave vjetore për vitin 2020.
Fillimisht, Murati sqaroi se kjo kërkesë e FKPK-së, ishte shqyrtuar në mbledhjen e datës 4 mars të këtij viti, por me kërkesë të anëtarëve të këtij komisioni janë kërkuar disa ndryshime nga ana e drejtuesit të këtij fondi.
Gjatë raportimit, kryesuesi i Bordit të FKPK-së, Ruzhdi Morina, tha se janë bërë ndryshime në të gjitha ato pika që është kërkuar nga anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere. 
Përfaqësuesit e FKPK-së, në këtë mbledhje, janë pyetur edhe në lidhje me humbjet që janë shkaktuar gjatë kohës së pandemisë Covid-19, me ç’rast  drejtori Ardian Zalli, tha se performanca e FKPK-së ka rënë gjatë muajit mars dhe prill.
Kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore 2020, është miratuar me shumicë votash nga anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere.
Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka shqyrtuar edhe raportin financiar për periudhën janar-mars 2020 dhe programin e shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës(RTK), për periudhën 1-30 qershor 2020.
Në këtë mbledhje, të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit nga Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së.
Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere, patën diskutime në lidhje me raportin e shpenzimeve të RTK-së, por edhe vërejtje, kryesisht në lidhje me shpenzimet për paga, numrin e madh të punëtorëve, programet e blera nga jashtë dhe për shumë çështje tjera.
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati, u përgjigj në interesimin e anëtarëve të këtij komisioni, ndërsa u ankua për uljen e buxhetit.
Po ashtu, ai tha se mungesa e plotë e Bordit të RTK-së e vështirëson punën e transmetuesit publik.
Anëtarët e këtij komisioni u pajtuan që sa më shpejt të jetë e mundur të zgjidhen anëtarët e Bordit të RTK-së, në mënyrë që të njëjtit të japin përgjegjësi për performancën e RTK-së.
Pas këtij debati, anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere, miratuan programin e shpenzimeve të RTK-së prej 1-30 qershor 2020.
Komisioni, po ashtu shqyrtoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2020, të cilin e paraqiti sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.
Gjatë fjalës së tij, sekretari Krasniqi prezantoi të gjitha shpenzimet që janë bërë nga Kuvendi për tre muaj, të cilat, siç tha ai, për shkak të vonesave në miratimin e Projektligjit për Buxhetin dhe situatës pandemike, janë nën nivelin e parashikimeve. 
Pas prezantimit, anëtarët e këtij komisioni e votuan raportin e shpenzimeve të Kuvendit për tre mujorin e parë të vitit 2020, i cili do t’i dërgohet Kryesisë së Kuvedit për miratim.