Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, mbajti mbledhjen e radhës

27.05.2020

Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media i drejtuar nga Mergim Lushtaku, kryetar, në mbledhjen e sotme diskutoi lidhur me shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2019.

 

Kryetari Lushtaku tha se përfaqësuesit e Komisionit të Pavarur për Media do të shpalosin para komisionit raportin vjetor për vitin 2019, raport ky i cili shqyrton performancën e Komisionit të Pavarur për Media.

 

Duke prezantuar raportin, kryetari i KPM-së, Muja Ferati, tha se se ky raport është i përpiluar në harmoni me kërkesat e Kuvendit dhe se është i përbërë nga tri shtylla kryesore.

 

“Raporti paraqet të gjitha aktivitetet për vitin 2019 dhe është i përbërë prej tri shtyllave kryesore: Komisionit prej shtatë anëtarësh, Zyrës ekzekutive dhe Bordit të ankesave”, tha Ferati.

 

Po ashtu, ai shpalosi aktivitetet që kanë të bëjnë me fushëveprimtarinë e Komisionit të Pavarur të Mediave, duke filluar me hulumtimin dhe amendamentimnin e akteve nënligjore, duke aprovuar kështu Rregulloren për mbështetjen e ofruesve të shërbimeve mediale me mbulim tokësor, rregullore kjo e kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian, si dhe dy rregullore të tjera, ajo e Kodit etik për ofrim të shërbimeve dhe Draft-rregulloren për mbrojtjen e të miturve në shërbime mediale, për të vazhduar me objektivat dhe zhvillimet e tjera.

 

Problem shqetësues sipas Feratit mbetet funksionimi i Strategjisë për digjitalizim e transmetimit tokësor, duke kërkuar kështu mbështetje nga Komisioni Parlamentar, si dhe nga Qeveria.

 

Anëtarët e komisionit, pas paraqitjes së opinioneve të tyre lidhur me këtë raport, me gjashtë vota për, tri kundër dhe një abstenim, i dhanë mbështetje raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, për vitin 2019, duke proceduar për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend.