Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë mbajti mbledhjen e radhës

22.05.2020

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, kryesuar nga kryetarja Time Kadriaj ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

 

Në mbledhje u diskutua gjatë në lidhje me riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës gjatë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

 

Lidhur më këtë çështje, kryetarja Kadriaj sqaroi se nga Ministria e Jashtme dhe Diasporës është kërkuar një raport i gjerë sa i përket numrit të qytetarëve të Kosovës të gjendur jashtë vendit, që prej shënimit të rastit të parë , por që sipas saj, një raport i tillë është dërguar i pjesshëm.

 

Po ashtu kryetarja Kadriaj tha se numrin e saktë të personave që janë gjendur jashtë vendit e kanë kërkuar edhe nga ambasadat e Kosovës nëpër botë, por që nga disa nga to ende nuk e kanë asnjë informatë.

 

Komisioni po ashtu ka ftuar që në lidhje me riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës gjatë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 të raportojë drejtori i përgjithshëm i MPJD-së, Albert Prenkaj, por që, sipas kryetares Kadriaj i njëjti nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese.

 

Në lidhje me mosardhjen në raportim të drejtorit të MPJD-së pati vërejtje nga disa deputetë, por disa tjerë nuk e panë të arsyeshme raportimin e tij.

 

Në fund, me shumicë votash Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë vendosi që edhe njëherë ta ftojë në raportim drejtorin e përgjithshëm të MPJD-së, Albert Prenkaj.