Lajmet e fundit

Ministri Makolli raportoi lidhur me aktivitetet e Ministrisë së Diasporës

E Mërkure, 28.03.2012




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga Alnin Kurti, kryetar i Komisionit, ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka raportuar lidhur me kompletimin dhe funksionalizimin e ministrisë, të cilën e udhëheq, si dhe për aktivitetet e kësaj ministrie. Ai në fillim ka folur për fushëveprimin e Ministrisë së Diasporës, për politikat dhe legjislacionin, si dhe për përgjegjësitë e saj, duke përqëndruar në vazhdim të flasë për gjendjen e bashkatdhetarëve tanë në vende të ndryshme të botës, por edhe për aktivitetet që ka ndërmarrë kjo ministri për vënien e kontakteve me shoqata të ndryshme të bashkëkombësve tanë nëpër këto vende. Ai ka theksuar rëndësinë që ka integrimi i bashkatdhetarëve tanë në shoqëritë e përparuara demokratike, shfrytëzimi i mundësive për emancipim e shkollim cilësor në këto vende, por edhe interesin tonë që të ruhet identiteti kulturor dhe gjuhësor i tyre, për të komunikuar në mënyrë sa më të natyrshme me trungun e Atdheut. Në këtë mes ai ka përmendur hartimin e Projektligjit për diasporën, i cili ka kaluar shqyrtimin e parë në Kuvend dhe për të cilin janë mbajtur dëgjime publike me bashkatdhetarët tanë në Zvicër dhe Gjermani, pastaj hartimin e planit të veprimit për vitin 212, të Strategjisë për zhvillimin për periudhën afatmesme, 2012-2014, si dhe hulumtimin "Perceptimi i diasdporës 2011" . Ai ka veçuar konferencat e ndryshme lidhur me gjendjen e diasporës sonë, për kapacitetin intelektual, social dhe ekonomik të tyre, e sidomos për mundësitë e investimit të kapitalit bashkëkombësve tanë jashtë vendit, në Kosovë. Është përmendur fakti që 25 për qind nga 500 ndërmarrjet e krijuara në Kosovë, janë ngritur me ndihmën e kapitalit të fituar nga mërgata jonë.

Ndër projektet me interes të gjerë për edukimin e diasporës sonë Makolli e kaq veçuar projektin "Gjuha ime", i cili ka për qëllim bazik mësimin e gjuhës amtare dhe zhvillimin e njohurive të përgjithshme për fëmijët tanë që jetojë në diasporë. Ai ka theksuar se bashkë me projektet për ngritjen e bibliotekave në vendet ku jeton dhe vepron mërgata jonë, planifikohet të ngrihen edhe qendra kulturore, fillimisht në Turqi, Zvicër dhe në SHBA. Ai, ndërkaq, ka pohuar se do të vazhdojë të mbahen aktivitete, si : Ditët e kulturës së Kosovës në diasporë, Ditët e mërgatës në Kosovë, takimet me bashkatdhetarë etj.

Kryetari i Komisionit, Kurti, i cili ka vlerësuar kontributin e rëndësishëm të mërgatës sonë për mbijetesën e popullit tonë, por edhe për lirinë e Kosovës, ministrit i ka shtruar një varg të gjatë pyetjesh, të përcjella nga bashkatdhetarë në vende të ndryshme, e të cilat kërkojnë përgjigje, si: çështja e taksave të sigurisë kur të kthehen në Kosovë, taksat për qytetarët e Luginës së Preshevës, sportelet e paktë nëpër pikat kufitare, doganimi i makinerive prodhuese etj. Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit: Hydajet Hyseni, Sabri Hamiti, Skender Hyseni, e Shaip Muja, kanë tërhequr vëmendjen për nevojën e pashlyeshme të regjistrimit të bashkatdhetarëve tanë në vende të ndryshme të botës; për harmonizimin e terminologjinë joprecize edhe legjislative për mërgatën; për rolin e vërtetë që duhet të luajnë qendrat kulturore (të bëhen qendra të dijes dhe organizimit për lobim), për kontaktet që ato duhet të kenë me misionet diplomatike në vendet e dhëna; për nivelin e pamjaftueshëm të përfshirjes së fëmijëve nga mërgata jonë në mësim plotësues në gjuhën shqipe (vetëm 5 për qind e tyre) etj.

Ministri Makolli ka theksuar se është duke u krijuar baza e të dhënave për mërgatën tonë, kurse ka përmendur nevojën që në Kuvendin e Kosovës të rezervohen vende deputetësh edhe për përfaqësuesit e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë vende të ndryshme të botës. Ai, ndërkaq, i ka premtuar z. Kurti se do tu përgjigjet me shkrim pyetjeve të përcjella nga pjesëtarë të mërgatës, kurse është zotuar se do të angazhohet seriozisht për përmirësimin e gjendjes së mërgatës sonë dhe krijimin e lehtësive për komunikim me Atdheun dhe për nxitje të investimeve në ekonominë tonë.

 

Ministri Makolli raportoi lidhur me aktivitetet e Ministrisë së Diasporës