Lajmet e fundit

Dëgjim publik i Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Marte, 28.02.2012




Komisioni për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, mbajti sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Teatrot. Duke hapur këtë dëgjim,Idriz Vehapi theksoi se qëllimi i këtij debati është dëgjimi i zërit të komunitetit artistik në angazhimet e mëtejshme për të bërë një ligj sa më të mirë dhe të zbatueshëm për teatrin. Për rëndësinë e Projektligjit para të pranishmëve foli Memli Krasniqi, ministër për Kulturë,Rini dhe Sport, i cili theksoi se ky Projektligj është modern dhe në përputhje të plotë me standardet e BE-së në këtë fushë. Ai theksoi se në proces të amendamentimit do të bëhen përpjekje që nëpërmjet dispozitave përkatëse të rregullohen dispozitat , sipas të cilave Ligji i ardhshëm të krijojë mundësi për një kod të veçantë buxhetor për Teatrin Kombëtar, si dhe një përqindje të mjeteve financiare edhe për teatrot lokale.

Gjatë debatit të gjerë u tha se ky Projektligj krijon një bazë të mirë për rregullimin e fushës së funksionimit të teatrove në Kosovë, por nëpërmjet amendamentimit mund të pasurohet edhe më në disa nene. Ndër vërejtjet e sugjerimet më të shpeshta u dëgjuan ato që kishin të bëjnë me çështjen e përcaktimit më të qartë të kompetencave dhe të përgjegjësive të drejtorit të të përgjithshëm të teatrit dhe udhëheqësit (drejtorit artistik). Mjaft fjalë u bë edhe për nocionin teatër kombëtar, përkatësisht, si të rregullohet kjo me ligjin e ardhshëm, përkatësisht a do të lihet mundësia të kemi më shumë teatro kombëtare, apo Kosova të ketë vetëm një teatër kombëtar, kurse të tjerat të jenë teatro lokale, ndërkaq, të lejohet mundësia që për ndonjë lloj të veçantë të teatrit, që do të kultivonte vetëm ndonjë lloj të dramës, ai mund të ketë edhe epitetin kombëtar. Sa i përket repertorit të teatrove diskutuesit pajtoheshin që Teatri Kombëtar në skenën e tij të ketë shfaqje në raport 2 me një në favor të dramaturgjisë kombëtare.

Nga dy diskutues u kërkua që ky Projektligj t' i kthehet sponzoruesit, që ishte edhe kërkesë e 42 nënshkruesve të një peticioni nga komuniteti artistik, por me këtë nuk u pajtuan të pranishmit. Gjatë debatit lidhur me këtë kërkesë, u tha se ajo nuk përfaqëson komunitetin artistik në shkallë vendi, ndaj edhe nuk mund të përkrahet, ndërsa ministri Krasniqi këtë kërkesë e quajti joligjore, pasi Projektligji tashmë ka hyrë në fazë të amendamentitmit, pas miratimit në lexim të parë nga ana e Kuvendit.

Si numri i madh i pjesëmarrësve, ashtu edhe i diskutueseve nga radhët e komunitetit artistik ishte shenjë e një interesimi të gjallë të komunitetit artistik për këtë Projektligj, duke u angazhuar që me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre ta begatojnë atë, në funksion të krijimit të një baze të mirëfilltë për avancim të mëtejmë të veprimtarisë teatrore në Kosovë.

 

Dëgjim publik i Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media