Fjalimet e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë

Të nderuar deputetë,
përfaqësues të shoqërisë civile,
partnerë ndërkombëtarë të Kuvendit të Kosovës,
përfaqësues të mediave,
Zonja dhe zotërinj,

Sot është dita ndërkombëtare e demokracisë. Tradicionalisht Kuvendi i Kosovës e shënon këtë ditë për të promovuar vlerat dhe idealet demokratike. Janë këto vlera, të cilat qëndrojnë në themel të shtetit tonë, kushtetutës dhe shoqërisë sonë. Por kjo ditë, është njëkohësisht edhe ditë e reflektimit. Është ditë e bilancit të përbashkët, për punën që jemi duke bërë, si institucione publike, shoqëri civile e media, në forcimin e demokracisë sonë. Si shtet i ri kemi bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Kemi ndërtuar një sistem politik, me përfaqësim dinjitoz politik të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve. Një kushtetutë të standardeve më të larta liberale dhe demokratike. Kushtetutë e cila me vlerat e saj, i mundëson çdo qytetari të Kosovës, pavarësisht përkatësisë që ka, ta ndjej Kosovën si shtëpinë e tij. Ne mburremi me hapësirën që kemi krijuar për shoqërinë civile, zëri i të cilës dëgjohet si në asnjë vend tjetër të rajonit e më gjerë. Liria e papenguar e shprehjes dhe kritikës publike bën dallimin tonë me vende tjera ku gazetarët ose frikësohen ose u nënshtrohen formave tjera të presionit, deri edhe në burgosje. Kemi krijuar një kulturë të debatit publik të cilën duhet ta avancojmë e zhvillojmë edhe më shumë. Por ky nuk është i gjithë rrëfimi. Demokracia jonë e re, në procesin e konsolidimit, vazhdon të përballet me sfida, probleme, e shpeshherë edhe me keqkuptime. Derisa sfidat kanë të bëjnë me përmbylljen e shtetndërtimit, keqkuptimet burojnë nga mënyra se si i kuptojmë dhe përdorim vlerat demokratike. Ajo që e dallon demokracinë nga të gjitha format tjera të qeverisjes është përjashtimi i dhunës nga politika. Për një vit rresht ky parim fundamental është cenuar. Kemi pasur situata të rënda kur vendin e forcës së argumenteve e ka zënë argumenti i forcës. Në emër të lirisë politike janë kapërcyer kufijtë e ligjit. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë dhe vlerat e saj. Pamjet në Kuvendin e Kosovës kanë bërë që qytetarët tanë të ndihen të zhgënjyer e të turpëruar me të zgjedhurit e tyre ; kemi lënduar shpresat e tyre, ëndrrat e tyre për t'i rritur në mirëqenie e begati fëmijët e tyre, miqtë tanë i kemi bërë të stepen dhe kundërshtarët e shtetit tonë të fërkojnë duart. Ne jemi shtet i pavarur e sovran, prandaj duhet të dëshmojmë pjekuri politike në çdo situatë dhe përballë çdo problemi. E pjekuri politike do të thotë kapacitet që mospajtimet t'i zgjidhim përmes dialogut e konsensusit. Demokracia nënkupton dialog të pandërprerë në mes shumicës dhe pakicës. Në këtë dialog, shumica nuk ka të drejtë të imponoj politika të pambështetura, por, as opozita të imponoj me forcë mospajtimin e saj. Pra as tirani të shumicës, as anarki të pakicës. 17 vite më parë ne ishim të robëruar dhe kishim nevojë për ndihmën e shteteve mike për t'u çliruar Sot jemi të lirë, të pavarur, prandaj askush nuk mund të na shpëtoj nga vetvetja. Problemet që i kemi krijuar vetë, vetë duhet t'i zgjidhim, duke mirëpritur gjithmonë përkrahjen e shteteve mike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian. Ne duhet ta kemi të qartë: për Kosovën qëndrimi amerikan mbi zhvillimet tona është vlerë e pacenueshme. Zhvlerësimi i këtij qëndrimi është kapërcim i një vije të kuqe, të cilin populli i Kosovës asnjëherë nuk do ta pranojë. Pluralizmi politik është vlerë themelore e demokracisë. Kjo nuk është vetëm frazë, por parim i cili nënkupton gjëra shumë praktike. Në rend të parë, se askush nuk e ka monopolin mbi interesin nacional dhe mbi patriotizmin. Dashuria për Kosovën është vlerë dhe detyrë e përbashkët, dhe vetëm duke respektuar parimet kushtetuese mund ta përcaktojmë dhe mbrojmë interesin nacional. Së dyti, askush nuk e ka monopolin mbi të vërtetën e proceseve politike nëpër të cilat ka kaluar dhe është duke kaluar vendi. E vërteta në demokraci arrihet vetëm përmes debatit racional e dialogut të mirëfilltë politik, e kurrsesi përmes demonstrimit të muskujve. Prandaj demokracia e përjashton fanatizmin politik dhe gjuhën përjashtuese. Janë këto vërejtje, të cilat më shumë na bashkojnë se sa na ndajnë. Të bashkuar në qëllime, ne mund të gjejmë edhe rrugët e përbashkëta të ecjes përpara. Qytetarët tanë besojnë në shtetin e Kosovës, në zhvillimin dhe fuqizimin e tij Ne jemi të zgjedhur për ta justifikuar këtë besim, - me punën dhe angazhimin tonë, - me përmbushjen e të vetmes detyrë të shenjtë që ka politikani: t'i shërbejë atdheut, demokracisë dhe lirisë së tij.

 

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com